Pas 18 majit hapen lokalet, ja rregullat e reja

Pas 18 majit hapen lokalet, ja rregullat…

Baret e restorantet prej 2 muajsh po qëndrojnë të mbyllura për shkak të pandemisë COVID-19, por në datën 18 këto bizense do të rikthehen në punë.

Ashtu si për çdo kategori tjetër, edhe për këto biznese në portalin “e-Albania” parashikohet një protokoll, sipas të cilit duhet të ndërmerren një tërësi masash, në mënyrë që të shmanget infektimi nga virusi.

Sipas protokolleve, baret dhe restorantet duhet të zbatojnë rregulla strikte higjiene dhe dezinfektimi të vazhdueshëm, në mënyrë që të sigurojnë shëndetin e punonjësve, por edhe të klientëve.

Administratorët e bareve dhe restoranteve duhet të jenë nën monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së punonjësve të tyre dhe nuk duhet lejuar askush të vijë në punë nëse shfaq simptoma të COVID-19 dhe shfaq temperaturë 37.5.

Sikundër është paralajmëruar, baret dhe restorantet do të punojnë deri në fashën e orarit të lejuar për të gjithë, 05:00 – 17:30 dhe vetëm në pjesën e jashtme të tyre, transmeton gazeta “Reforma”.

Po ashtu këto biznese duhet të sigurojnë sapun, letër dhe dezinfektues, pastrim të rregullt të koshave të mbetjes dhe dezinfektim të të gjithë ambientit kur hapet dhe kur mbyllet, pra 2 herë në ditë.

Dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka e shërbimit dhe banakët e lokaleve në bar dhe restorant duhet të dezinfektohen dhe pastrohen në mënyrë të shpeshtë për të shmangur çdo infektim të mundshëm, ndërsa për klientët duhet të sigurohet në hyrje një dezinfektues duarsh jo më pak se 60% alkool.

Në lidhje me tavolinat duhet respektuar distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1 m larg, e për rrjedhojë klientët ta shohin përballë njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 2 m.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit