Pavarësisht hetimeve të nisura nga Prokuroria e Fierit dhe procedimeve penale ndaj katër zyrtarëve të lartë bashkiakë për shpërdorim detyre dhe manipulim të të ardhurave publike, situata në parkimin nëntokësor në qendër të Fierit vijon të jetë e pandryshuar.
Qytetarë të shumtë kanë denoncuar se edhe pas ndalimit të zyrtarëve, faturat që u jepen pas parkimit nuk janë tatimore, duke konfirmuar se paratë vazhdojnë të mos përfundojnë në buxhetin e bashkisë, por në mënyrë të dyshimtë, jashtë çdo kontrolli fiskal. JOQ ALBANIA ka mësuar se faturat e parkingut nëntokësorë në qytetin e Fierit vazhdojnë të jepen pa kupon tatimor.
Denoncimi i qytetarit:
“Parkimi nënntokesor i bashkisë në Fier që kur është krijuar nuk ka lëshuar kurrë fatura tatimore. Përpara disa ditëve janë ndaluar disa zyrtarë të bashkisë Fier dhe drejtoresha e taksave është proceduar për lejimin e ketij informaliteti. Sot akoma nuk lëshohet faturë, dmth akoma vidhet.”
Ky denoncim vjen vetëm disa ditë pasi Prokuroria bëri publike rezultatet e hetimit që zbuloi një skemë të mirëorganizuar korrupsioni brenda bashkisë Fier. Sipas organit të akuzës, mungesa e pajisjes fiskale në parkimin publik kishte sjellë një dëm financiar prej 422 mijë eurosh, ndërsa qytetarët paguanin rregullisht për një shërbim që nuk reflektohej në të ardhurat publike.
Në qendër të kësaj afere qëndron Adela Hysenaj, ish-drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës dhe ish-nënkryetare e bashkisë Fier, e cila akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm ndaj vartësve. Së bashku me tre zyrtarë të tjerë, ajo u vendos në masë sigurie “arrest shtëpie”.
Sipas Prokurorisë, Hysenaj kishte lejuar për vite të tëra mosinstalimin e pajisjeve fiskale në parkimet publike, duke i krijuar hapësirë manipulimit dhe abuzimit me të ardhurat nga parkimet.
Por ajo që shqetëson më shumë qytetarët sot është fakti se edhe pas zbardhjes së skandalit dhe procedimit penal të zyrtarëve, askush nuk ka marrë masa konkrete për ta ndalur informalitetin.
Skandali ka thelluar mosbesimin ndaj institucioneve vendore, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi konkrete, rikuperim të dëmit dhe vënien në funksion të plotë të sistemit fiskal në shërbimet publike, përfshirë parkimet.