Një aksident tjetër ka ndodhur në Kanalin e Butrintit në afërsi të fshatit Vrinë, bashkia Konispol.
Mësohet se rreth orës 05:00 të mëngjesit, një shtetas i huaj ka humbur kontrollin mbi automjetin e marrë me qira dhe ka përfunduar në ujërat e Kanalit të Butrintit.
Shoferi dhe pasagjeri po udhëtonin drejt Sarandës, pasi kishin kaluar kufirin, kur u aksidentuan dhe përfunduan në kanal. Ata kanë mundur të dalin me not nga kanali fatmirësisht pa dëmtime.
Vlen të thuhet se ky aksident nuk është i pari pasi para 8 ditësh ndodhi edhe një tjetër me protagonistë sërish një çift turistësh.
Banorët e zonës thonë se rruga nuk ka tabelë që paralajmëron kthesën në vendin e quajtur “Lundra” dhe barrierat mbrojtëse të rrugës mungojnë, duke rritur rrezikun për aksidente të tilla.
Kjo rrugë që lidh pikën kufitare të Qafë Botës me Parkun Kombëtar të Butrintit, duket se është kthyer në makth për turistët e huaj por edhe ata vendas pasi ARRSH e ka lënë në harresë si aks të rëndësishëm.