Pas Francës, në Itali zbulohet rasti me Covid që në dhjetor 2019. Kryevirologu suedez: Ja që kur mund të ketë qenë virusi në Europë

Pas Francës, në Itali zbulohet rasti me…

Pas Francës, edhe në Itali është vërtetuar me analiza prania e koronavirusit të ri që në dhjetor të vitit të kaluar. Shumë njerëz kanë treguar historitë e tyre të sëmundjes, pas një postimi të një organizatoreje eventesh kulturore.

“Virusi ka qenë mes nesh prej disa muajsh, por ne nuk e dinim. Unë jam prekur në dhjetor, por e kam zbuluar vetëm disa ditë më parë se kisha Covid, pasi bëra testin serologjik”. Silvia Barbagallo ishte ndjerë keq më 24 dhjetor pas kthimit nga një udhëtim në Afrikë me të birin.

“Temperaturë shumë e lartë, me fillim polmoniti që m’u kurua me paracetamol dhe kortizon dhe për fat kaloi në kohë të shkurtër. Një lloj gripi shumë i dhunshëm, kështu më tha mjekja bazë”, tha Silvia, e cila kishte shkuar shpesh në punë në periudhën janar-shkurt, shumë herë duke udhëtuar në Milano. Në pak javë, Covid u bë global.

“Më 6 mars bëra tamponin… rezultova negative”. Djali i saj, 17 vjeç, pak ditë më parë, kishte pasur temperaturë shumë të lartë. Në atë kohë bëmë të gjithë në familje testet serologjike në një laborator privat. Dhe unë zbulova se kam antitrupat e Covid, isha pozitive me ‘Igg’, imunoglobulina G, që dëshmon një kontakt me virusin larg në kohë”.

Sipas saj, temperatura e lartë e dhjetorit kishte qenë Covid 19 dhe infektimi ka ndodhur në një udhëtim për në Tanzani, ku udhëtonin edhe dhjetëra familje kineze. Ndërsa shefi i virologëve suedezë tha se Suedia ka të ngjarë të ketë pasur raste të koronavirusit që në nëntor të vitit të kaluar. Epidemiologu i shtetit, Anders Tegnell, pretendoi se raste individuale do të ishin zbuluar midis udhëtarëve nga Wuhan.

Ai i tha agjencisë së lajmeve TT të Suedisë: “Nuk kishte ndonjë përhapje të infeksionit jashtë Wuhanit derisa e pamë më vonë në Europë. Por unë mendoj se ju mund të gjeni raste individuale midis udhëtarëve Wuhan që ishin atje në nëntor deri në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo nuk tingëllon aspak e çuditshme, por mjaft e natyrshme”.

Komentet e tij vijnë pas raporteve që një spital në Francë zbuloi se kishte ritestuar mostra të vjetra gripi dhe kishte gjetur një test pozitiv për koronavirusin më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Suedia nuk ka në plan të bëjë testime të mostrave të vjetra të pacientëve me simptoma frymëmarrjeje apo gripi që nga viti i kaluar për të zbuluar nëse kanë pasur koronavirus.

Rasti i parë zyrtar i koronavirusit të vendit ishte më 31 janar, i një gruaje pas një udhëtimi në Kinë. “Për momentin nuk duam të ngarkojmë sektorin e kujdesit shëndetësor me këtë lloj hetimi. Ata kanë shumë gjëra të tjera për të bërë dhe kjo nuk do të çojë në ndonjë masë. Përkundrazi, ajo që mund të jetë interesante për të zbuluar, është se si u përhap virusi në Kinë dhe si sillej ai në fazat e hershme të përhapjes së tij… Nuk ka pasur shumë raste kur ne mund të gjurmonim një ngjitje të një virusi krejtësisht të ri nga kafshët te njerëzit. Ne nuk kemi shumë njohuri se si ndodh kjo në realitet”, shpjegoi Tegnell.

Pasi Franca e dokumentoi praninë e hershme të virusit shumë më herët nga sa tregonin më parë të dhënat zyrtare, Organizata Botërore e Shëndetit u ka kërkuar vendeve të tjera një hulumtim të plotë të origjinës së pandemisë dhe rrugën e hershme.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit