Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte të kryera në lagjen e familjes Jashari në Prekaz, një nga vendet që mbart plagët më të rënda të luftës në Kosovë dhe që është kthyer në simbol të rezistencës shqiptare.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe lidhet me vrasjen e civilëve gjatë sulmeve në lagjen e Jasharëve. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar këtë një aktakuzë me rëndësi të veçantë, duke theksuar se është hera e parë që ngrihet një aktakuzë e tillë lidhur me vrasjen e civilëve në familjen Jashari.
Familja Jashari është një nga familjet më të njohura në historinë e luftës së Kosovës. Në mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan dhe sulmuan kompleksin e familjes në Prekaz, ku u vranë dhjetëra anëtarë të familjes, mes tyre komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, vëllai i tij Hamëz Jashari, si dhe gra e fëmijë.
Masakra e Prekazit tronditi Kosovën dhe u kthye në një pikë kyçe të luftës për çlirim. Nga familja e ngushtë e Jasharëve, e mbijetuar nga sulmi mbeti Besarta Jashari, e cila ishte vetëm një vajzë e vogël në atë kohë.
Tashmë, pas pothuajse tri dekadash, drejtësia kosovare ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve të kryera në këtë familje.
Sipas kryeprokurorit Isufaj, hetimet janë zhvilluar me një kujdes të veçantë, me qëllim që akuzat dhe provat e mbledhura të mund të qëndrojnë përpara gjykatës.
Tashmë fjala i takon Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila do të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale ndaj 35 të pandehurve.
Për Prekazin, vendin ku u shua një familje e tërë, por ku lindi një simbol i pavdekshëm i rezistencës së Kosovës, drejtësia duket se ka nisur më në fund një tjetër kapitull.