Pas bllokimit të domateve dhe pjeshkëve në Kroaci e Bosnjë, tashmë edhe Sllovenia ka ndërmarrë masa ndaj produkteve shqiptare. Autoriteti Slloven i Sigurisë Ushqimore (UVHVVR) ka njoftuar se një sasi me speca të kuq, të importuar nga Shqipëria, është tërhequr nga tregu për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.
Kontrollet laboratorike zbuluan praninë e tepërt të tri substancave, acetamiprid, formetanat dhe flonikamid, duke e bërë produktin të rrezikshëm për konsum. Specat ishin shpërndarë në treg nga kompania “Geaprodukt” në Lubjanë, të paketuar fillimisht në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që i kanë blerë të mos i konsumojnë, por t’i kthejnë në vendin e blerjes ose t’i hedhin. Madje është paralajmëruar që kush ka pasur kontakt me ushqimin e kontaminuar, të dezinfektojë duart.
Sipas mediave sllovene, kombinimi i pesticideve të gjetura mund të shkaktojë pasoja për shëndetin, duke filluar nga të përziera dhe dhimbje koke, deri tek probleme me tretjen.
Ky është rasti i tretë brenda pak ditësh që produktet shqiptare të bllokohen në tregjet e rajonit. Më 3 shtator, Kroacia dhe Bosnja bllokuan pjeshkët shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit, ndërsa Kroacia kishte asgjësuar edhe disa tonë domate, pasi rezultuan të trajtuara me pesticide në sasi pesë herë më të lartë se norma e lejuar.