Pas më shumë se 24 orësh përpjekjesh intensive, ekipet e shpëtimit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të 40-vjeçarit Ilir Kolaveri, i cili dyshohet se u aksidentua gjatë punës në minierën e kromit në Tërnovë.
Aksidenti ndodhi të shtunën, kur Kolaveri ra në një furnelë brenda galerisë së minierës dhe mbeti i bllokuar nën një masiv minerali.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje u angazhuan ekipet e shpëtimit, të cilat punuan pa ndërprerje në kushte tepër të vështira, për shkak të terrenit të rrezikshëm dhe mundësisë së shembjeve të tjera brenda galerisë. Pas një operacioni të gjatë dhe kompleks, trupi i 40-vjeçarit u nxor, por fatkeqësisht ai ishte pa shenja jete.
Miniera e kromit në Tërnovë administrohet nga kompania “Eternal Security”. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, si dhe për të verifikuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë teknike gjatë punës në minierë.
Ngjarja ka tronditur familjarët, kolegët dhe banorët e zonës, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi shkaqet që çuan në këtë humbje tragjike.