Pas qepës e grurit, fermerët e Korçës po shesin nën kosto edhe pataten

Pas qepës e grurit, fermerët e Korçës…

Pas qepës dhe grurit, fermerëve të Korçës mund t’u mbetet stok edhe prodhimi i ri i patates, për shkak të shitjes nën koston e prodhimit prej mungesës së tregut.

Patatja në tregun e shumicës po kërkohet të blihet te fermeri rreth 20 lekë më lirë se vjet. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar çmimi i shitjes është 40% më pak.

“Kemi filluar të vjelat e para të patates. Prodhimi është i mirë, pavarësisht nga klima e thatë, por mbetet problem mungesa e tregut të shitjes”, tha Mikel Plasa, një nga kultivuesit më të mëdhenj të patates në zonën e Korçës.

Patatja po kërkohet me çmim shitje nga 25 lekë për kg nga tregtarët vendas, maksimumi deri 33 lekë për kg. Një çmim ky nën koston e prodhimit.

“Nëse e shes me këtë çmim prodhimin, automatikisht jam me humbje prej 80 mijë eurosh. Që të dalësh me fitim duhet ta shesësh pataten të paktën me çmim 50 lekë për kg”, shtoi ai.

Gjithashtu, theksoi se rënia e çmimit është ndikuar nga “loja” që bëjnë tregtarët e shumicës me çmimin për mallrat që blejnë direkt nga fermerët, sepse në tregun e pakicës çmimi i shitjes së patates ka arritur deri 90 lekë për kg.

“Nga ana tjetër importi i patates, veçanërisht nga Kosova ka ndikuar te rritja e ofertës në treg. Patatja e importit që vjen nga Kosova po tregtohet në vend me çmim 20 cent euro për kg, për shkak të subvencioneve të larta që iu jepen fermerëve”, theksoi ai.

Zgjidhja që mbetet është magazinimi i prodhimit deri në rritje të çmimit, mirëpo edhe në këtë rast fermerët pohojnë se humbjet nga kalbja e patates janë të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar në vend u prodhuan rreth 274,1 mijë tonë patate. Krahasuar me 2022, prodhimi u rrit 4,3%.

Disa javë më parë, fermerët e kësaj zone u përballën edhe me mungesën e tregut për prodhimin e qepës dhe grurit. Kjo detyroi disa fermerë në zonën e Korçës që të protestojnë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit