Pas rënies së Vuçiç nuk ndalin arrestimet e zyrtarëve të lartë në Beograd, në pranga ish-ministri i ekonomisë

Pas rënies së Vuçiç nuk ndalin arrestimet…

Vijojnë goditjet ndaj zyrtarëve të lartë në Serbi, ku këtë herë në prangat e autoriteteve ka përfunduar ish-ministri i Ekonomisë, Rade Basta. Ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe dëmtim financiar të një ndërmarrjeje publike me dhjetëra miliona dinarë.

Sipas mediave serbe, hetimet lidhen me periudhën kur Basta drejtonte ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane”. Ai dyshohet se ka miratuar donacione të pajustifikuara financiare për disa klube sportive, përfshirë ekipe të vogla futbolli e basketbolli, si dhe një klub kalërimi, duke i shkaktuar dëm ekonomik institucionit që drejtonte.

Në operacion janë përfshirë edhe efektivë të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët kanë kryer kontrolle në disa ambiente dhe kanë realizuar arrestime. Sipas raportimeve të mediave vendase, hetimi nuk kufizohet vetëm te ish-ministri, pasi po shoqërohen edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë e tij.

Rade Basta ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra. Largimi i tij erdhi pas një përplasjeje politike me qeverinë serbe, pasi ai kërkoi që Beogradi të mbante një qëndrim të qartë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Pas shkarkimit, Basta themeloi lëvizjen e tij politike, “Rruga Evropiane”, ndërsa partia “Jedinstvena Srbija”, në emër të së cilës ishte emëruar ministër, kërkoi largimin e tij edhe nga funksionet e tjera partiake dhe publike.

Arrestimi i ish-ministrit vjen në një periudhë kur në Serbi po zhvillohen hetime dhe veprime kundër zyrtarëve të dyshuar për korrupsion. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që arrestimi i Bastës të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet politike apo me largimin e presidentit Aleksandar Vuçiç.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit