Pas suksesit me vaksinimin, Mbretëria e Bashkuar nis hapjen graduale. Ulen ndjeshëm infektimet dhe fatalitetet

Pas suksesit me vaksinimin, Mbretëria e Bashkuar…

Mbretëria e Bashkuar, ka nisur hapjen graduale, pas një izolimi të ashpër në shkallë kombëtare që prej janarit të këtij viti.

Nga dita e sotme, njerëzit do të mund të takohen në ambjente të jashtme, përfshirë këtu kopshtet private të banesave, në grupe deri në gjashtë persona.

Udhëzimi që qytetarët të qëndrojnë në banesa është hequr, megjithatë qeveria ka rekomanduar që të shmangen lëvizjet, ndërkohë që pushimet jashtë vendit nuk janë të lejuara.

Sportet në ambjente të jashtme, si golfi, tenisi, basketbolli dhe noti, janë tashmë të lejuara.  Gjithashtu mund të zhvillohen ceremoni dasmash, por me të ftuar deri në gjashtë persona.

Në fazën e dytë të hapjes, e cila fillon pas 12 prillit, do të rihapen palestrat, libraritë, dyqanet, ndërsa restorantet do të mund të shërbejnë ushqim për klientët që ulen në ambjente të hapura.

Shifrat e infektimeve dhe fataliteteve në Mbretërinë e Bashkuar kanë rënë në mënyrë drastike. Në 24 orët e fundit, në MB kanë humbur jetën 19 persona dhe janë infektuar 3862 të tjerë.

Kjo ka ardhur si pasojë e izolimit të gjatë, por edhe vaksinimit, pasi më shumë se gjysma e popullsisë, tashmë e ka marrë dozën e parë të vaksinës. Të vaksinuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje shoqëruese, ndërkohë që vijon vaksinimi i personave mbi 50 vjeç.

Pjesa e mbetur e popullësisë pritet të vaksinohet deri në korrik të këtij viti.

Fushata e vaksinimit në MB ka qenë mjaft e suksesshme, si pasojë e numrit të lartë të dozave që ky vend disponon dhe sistemit shëndetësor efiçent. Mbi 30 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës, Pfizer ose AstraZeneca dhe 3.5 milionë prej tyre kanë marrë edhe dozën e dytë.

Pavarësisht shifrave mjaft të ulëta të infektimeve, Shqipëria vijon të mbajë të bllokuara fluturimet direkte me Mbretërinë e Bashkuar, sipas udhëzimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit