Pas tre muajsh pezullim, rikthehet futbolli Italian me supersfidën Juventus-Milan

Pas tre muajsh pezullim, rikthehet futbolli Italian…

Pas tre muajsh rikthehet futbolli Italian. Ishte data 9 mars kur u luajt ndeshja e fundit në Serie A: Sassuolo-Brescia (3-0). Sot ekipet kthehehen për herë të parë në fushë. Pas ndalesës së gjatë të imponuar nga koronavirusi, takimi inagurues është ndeshja e kthimit e Kupës së Italisë, Juventus-Milan (1-1 në ndeshjen e parë).

Por ka njëkohësisht një lajm të madh. Në rast barazimi nuk do të ketë kohë shtesë, sipas rregullores, por pas 90 minutash loje do të shkohet drejtpërdrejt në penallti.

Kështu do të jetë edhe për ndeshjen tjetër gjysmëfinale, atë të së shtunës më 13 qershor në stadiumin e San Paolos midis Napolit dhe Interit (Napolitanasit fituan 1-0 në ndeshjen e parë), dhe për finalen e planifikuar për ditën e mërkurë më 17 qershor në stadiumin Olimpik të Romës.

Vendimi diktohet nga fakti i mbrojtjes së shëndetit të sportistëve. Pasi është planifikuar që të luajnë çdo tre ditë duke filluar nga sot deri më 2 gusht, rreziku i dëmtimeve është shumë i lartë. Përveç kësaj, lojtarët kanë qenë jashtë fushave për tre muaj dhe po të fillojnë me një lojë 120 minutëshe do jenë të ekspozuar ndaj shumë rreziqeve shëndetësore.

Të gjitha ndeshjet do të luhen pas dyerve të mbyllura: maksimumi 300 persona, duke përfshirë lojtarët, menaxherët, media dhe personeli i shërbimit, të pranuar në objektet.

Pa Zlatan, nuk ka shpresë?

Kupa është më shumë përparësi për kampionët me 18 tituj në Serie A dhe pesë herë fituesit e Kupës së Italisë, Milanit. Ata aktualisht janë në vendin e shtatë në tabelën e renditjes, 27 pikë pas Juves. Ambicia e tyre sfumohet nga mungesa e të dëmtuarit Zlatan Ibrahimoviç për ndeshjen kundër ish-klubit të tij.

Sulmuesi 38-vjeçar suedez ka shënuar katër gola në 10 ndeshje që kur u bashkua me Milanin në një marrëveshje gjashtë mujore në dhjetor, por pësoi një dëmtim të pulpës në stërvitje në maj.

Ante Rebic, i cili kishte shënuar shtatë gola në nëntë ndeshje para se të pezullohej futbolli, ka të ngjarë të udhëheqë linjën e sumit për Milanin. Samu Castillejo lojtari tjetër i vijës së parë, i cili tha se ishte grabitur në një sulm me armë në Milano të martën, dhe mbrojtësi Theo Hernandez janë të pezulluar për lojën e sotme.

Ku t’i shikoni lojërat në TV

Të dy gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës së Italisë do të transmetohet nga televizioni Rai në Itali, duke filluar nga ora 21:00. Para fillimit të bilbilit do të ketë një minutë heshtje për të përkujtuar viktimat e koronavirusit, në përfundim të takimit skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjes do të duartrokasin tre profesionistë nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit.

Tre punonjësit e shëndetit përfaqësojnë simbolikisht të gjithë personelin shëndetësor të Italisë, mjekët, infermierët, profesionistët, operatorët, studiuesit dhe të gjithë ata që janë angazhuar në luftën kundër Covid-19.

Janë vendosur edhe gjyqtarët për dy gjysmëfinalet. Juventus-Milan do të arbitrohet nga Orsato, ndërsa Napoli-Inter do ti takojë arbitrit Rocchi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit