Pak ditë më parë, një qytetar dërgoi në redaksinë e JOQ Albania faturën e marrë në restorantin MOYO në Dhërmi, ku çmimet ishin për të vënë duart në kokë pasi një vezë kushtonte 10 mijë lekë të vjetra dhe totali i tavolinës për një brunch ishte në 11.400 lekë.
Por ky nuk është rasti i vetëm i denoncuar. Një tjetër qytetar ka kontaktuar redaksinë duke treguar se në të njëjtin subjekt ka paguar 35 mijë lekë të vjetra për një birrë “Viola Bionda” 75 cl,, i njëjti produkt që jashtë vendit mund të gjendet me një çmim maksimal rreth 10 euro.
Por përveç çmimeve të larta, një tjetër pikë që ngre pikëpyetje janë edhe “faturat” e lëshuara nga subjekti. Bëhet fjalë jo për fatura fiskale zyrtare, por për “Përmbledhëse Tavoline”, që nuk ka vlerën e një kuponi apo fature fiskale të regjistruar.
Kjo skemë ngre dyshime mbi mënyrën e deklarimit të këtyre transaksioneve dhe qarkullimit real të xhiros ndërkohë që një vakt i thjeshtë mund të kushtojë sa një ditë pune për shumë qytetarë.
Por Spiro Bardhi i “Drymades Gallery” duket se i ka krahët e ngrohtë pasi nuk shqetësohet fare as për abuzimet me çmime e jo më për deklarimin e të ardhurave nëpërmjet faturave fiskale ashtu siç e kërkon ligji madje edhe për biznesin e vogël.
