
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të mesnatës vendgrumbullimin e mbetjeve në lagjen Myq-Mamëz të qytetit të Kukësit.
Por pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët vazhdojnë të jenë aktive dhe ende nuk janë vënë nën kontroll.
Shtëllungat e dendura të tymit janë përhapur në drejtim të qytetit dhe zonave përreth, duke ngritur shqetësime serioze për ndotjen e ajrit dhe pasojat në shëndetin e banorëve lokalë.
Kjo është hera e tretë brenda tre viteve që fusha e mbetjeve digjet, duke shtuar kritikat mbi menaxhimin e mbetjeve dhe mungesën e masave parandaluese nga autoritetet përgjegjëse.
Zjarri është përhapur me shpejtësi brenda një perimetri të gjerë, duke ngritur dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme. Deri tani, autoritetet lokale nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare, por mësohet se pritet të nisë një hetim për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe nëse ka pasur qëllim të caktuar pas tij.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla që rrezikojnë ambientin dhe jetën e qytetarëve.
Ndërkohë duhet thënë se brenda disa ditësh, ky është rasti i tretë, pas Vlorës e Lezhës, që mbetjet digjen në ambiente të hapura, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve, por edhe duke shkaktuar një ndotje të madhe të ajrit.