Pasaporta shqiptare humb interesin te të huajt, aplikimet për azil shënojnë rritje

Pasaporta shqiptare humb interesin te të huajt,…

Interesi i shtetasve të huaj për të fituar shtetësinë shqiptare ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, vetëm 495 persona e fituan shtetësinë shqiptare, nga 919 që u regjistruan një vit më parë, duke shënuar një ulje prej 46%.

Nga totali i përfituesve, 306 persona rifituan shtetësinë shqiptare, ndërsa 189 e morën atë për herë të parë. Mbi gjysma e tyre, 56.1%, janë shtetas me origjinë nga Kosova. Turqia renditet e dyta me 20.1% të rasteve, ndërsa pas saj vijnë Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Në të njëjtën periudhë, 173 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare. Sipas statistikave, grupmosha 30–39 vjeç përbën peshën më të madhe si te personat që fituan shtetësinë, ashtu edhe te ata që zgjodhën të heqin dorë prej saj.

Ndërkohë, në kahun e kundërt ka lëvizur numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 144 aplikime për azil, 40 më shumë se në vitin 2024.

Peshën më të madhe të kërkesave e zënë shtetasit e Egjiptit, me 39.6% të totalit, të ndjekur nga Afganistani me 11.8% dhe Palestina me 9.7%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë një prirje të dyfishtë: nga njëra anë ka rënë ndjeshëm numri i të huajve që zgjedhin të bëhen shtetas shqiptarë, ndërsa nga ana tjetër është rritur numri i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Shqipëri. Ky zhvillim pasqyron ndryshimet në dinamikat migratore dhe në arsyet që i shtyjnë të huajt t’i drejtohen Shqipërisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit