Nuk ka ironi më të hidhur dhe as hipokrizi më të hapur se sa të tradhtosh votën e qytetarëve të tu të enjten, dhe të premten t’i ftosh po ata qytetarë në zyrë nën logon e nismës kuptimplote “Prania Besnike”. Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Vullnet Sinaj, i dha sot opinionit publik një leksion të pastër të nënshtrimit politik, duke kthyer kurrizin ndaj atyre që e votuan dhe duke u përkulur përpara ultimatumit të Edi Ramës.
Veprimi i Sinajt nuk është thjesht një ndryshim mendjeje i zakonshëm parlamentar; është një prerje në besë e drejtpërdrejtë për komunitetin e Selenicës.
Deri të hënën, deputeti u hoq si mbrojtës i ashpër i interesave lokale. Ai doli hapur kundër hartës së re administrative-territoriale, duke luftuar ndaj shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe bashkimit të saj me Vlorën. Argumentet e tij ishin të qarta. Banorët e atij rajoni panë tek ai një zë që po guxonte të thoshte të vërtetën brenda murit të hekurt të mazhorancës.
Por “guximi” i Vullnet Sinajt zgjati saktësisht aq sa zgjati mbledhja e grupit parlamentar të PS-së.
Mjaftoi një kërcënim publik nga kryeministri Edi Rama, me përjashtim nga partia dhe me “fshirje” nga listat e ardhshme elektorale, që parimet e deputetit të shkriheshin si kripa në ujë. Të enjten, në sallën e Kuvendit, dora e Sinajt që duhej të mbronte Selenicën ngriti kartonin pro shkatërrimit të saj. Arsyetimi i tij pas kësaj kthese ishte akoma më fyes se vetë vota: “një nënshtrim ndaj vendimmarrjes politike të grupit”. Me pak fjalë, deputeti pranoi publikisht se për të, urdhri i kryetarit të partisë peshon më shumë se besimi i mijëra zgjedhësve.
Ajo që e bën të gjithë këtë skenë të neveritshme është vazhdimi i propagandës pa asnjë fijë turpi. Vetëm pak orë pas këtij akti kapitullimi, Sinaj fton po ata banorë të prekur në zyrën e tij në Vlorë në kuadër të “Pranisë Besnike”.
Sot në orën 17:00, kur deputeti Sinaj të ulet në zyrë për të dëgjuar “shqetësimet” e qytetarëve, përgjigjja më e mirë që ata mund t’i japin është t’i kujtojnë se besnikëria nuk matet me fjalë boshe në rrjete sociale, por me qëndrueshmëri kur vjen puna për të mbrojtur interesin e tyre. Vullnet Sinaj zgjodhi karrigen, rreshtin e partisë dhe rrjetin e BigMarket; qytetarët e Selenicës dhe Vlorës nuk kanë pse të gjejnë asnjë “besnikëri” në dyqanin e tij politik.