Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, është larguar këtë të martë nga detyra, pas rekomandimeve të përsëritura të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Burime bëjnë me dije se shkarkimi vjen pas dy raporteve të KLSH-së, ku janë evidentuar shkelje të rënda në ushtrimin e funksionit të tij. Tola ishte emëruar fillimisht gjatë drejtimit të ministrisë nga Ogerta Manastirliu dhe u mbajt në detyrë edhe gjatë mandatit të Mirela Kumbaros, pavarësisht rekomandimeve të audituesve për largimin e tij nga shërbimi civil.
Sipas raporteve të KLSH-së, Erzen Tola nuk ka ndjekur në kohë detyrat funksionale, nuk ka iniciuar proceset gjyqësore për rikthimin e fondeve të përfituara në kundërshtim me ligjin nga studentë dhe ish-punonjës, si dhe ka dështuar të administrojë në mënyrë efektive mbështetjen financiare për studentët e ekselencës. Audituesit konstatojnë gjithashtu se ai nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës së Lartë për rikthimin e rreth 7.5 milionë lekëve të përfituara padrejtësisht nga disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Në raport përmenden edhe shkelje në administrimin e shpenzimeve të karburantit për vitet 2022-2023, ku mungesa e dokumentacionit justifikues ka sjellë një dëm ekonomik të vlerësuar në rreth 4.7 milionë lekë. Sipas të dhënave të auditimit, gjatë vitit 2022 janë konsumuar 6,899 litra naftë dhe 7,950 litra benzinë, ndërsa në vitin 2023 janë përdorur 2,874 litra naftë dhe 7,898 litra benzinë, pa dokumentacionin përkatës që të justifikonte përdorimin e tyre.
Mbi bazën e këtyre gjetjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi masën disiplinore “largim nga shërbimi civil”, rekomandim që tashmë është zbatuar me shkarkimin e Tolës. Megjithatë, largimi nga detyra ngre një tjetër pikëpyetje mbi përgjegjësinë ligjore për shkeljet e konstatuara në auditim. Kur do të nisë hetimi për Erzen Tolën?