Pasi kreu dënimin, Ervin Salianji kërkon shfuqizimin e vendimit në Kushtetuese

Pasi kreu dënimin, Ervin Salianji kërkon shfuqizimin…

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin ndaj tij për veprën penale të “kallëzimit të rremë ”. Relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Mariana Semini.

Salianji ka deklaruar se ndjekja penale dhe dënimi i tij janë rezultat i motiveve politike, duke këmbëngulur se denoncimet e bëra prej tij janë vërtetuar me kalimin e kohës.

Kujtojmë Gjykata e Apelit e dënoi Salianjin me 1 vit burg për kallëzim të rremë, vendim të cilin më pas e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2024 dhe u vendos në burgun e Fierit, ndërsa më 8 korrik iu pranua kërkesa për lirim me kusht. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës, të cilin e përfundoi më 26 shtator 2025.

Çështja lidhet me publikimin e një audio-përgjimi nga Salianji, për të cilin ai pretendonte se përfshinte vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në biseda për trafik droge. Prokuroria dhe gjykata e konsideruan materialin si kallëzim të rremë.

Tani pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e Salianjit dhe të vendosë nëse gjatë procesit gjyqësor janë cenuar të drejtat e tij. Përveç aspektit procedural dhe pretendimeve për shkelje të të drejtave, Salianji argumenton se dënimi i tij është i padrejtë në thelb, pasi ai këmbëngul se nuk ka kryer veprën për të cilën u shpall fajtor. Sipas tij, denoncimi i publikuar ka qenë i bazuar në të dhëna dhe jo një sajesë e qëllimshme, siç e ka interpretuar gjykata.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit