Pastori i bashkisë që për “Bibël” ka urdhrat e Ramës dhe Veliajt

Pastori i bashkisë që për “Bibël” ka…

Nga Boldnews.al

Në rini quhej Gentian, vjen nga Përmeti. Më vonë e ndryshoi emrin, u bë edhe pastor protestant. Fati i erdhi jo nga përhapja e besimit, nga fryma që përçon ajo, por kapja e njerëzve të duhur, qepja pas tyre dhe “falja” tek ta, në të mirë e në të keq. Nuk është e vështirë të kuptohet se për kë bëhët fjalë.

Është Toni Gogu, Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, mik me Erion Veliajn, aq sa Lali Eri e përzgjodhi atë që të bënte ceremoninë e martesës! Kushedi ç’fjalë të bukura dhe me plot dashuri do ketë thënë, kur Veliaj dhe bashkëshortja Xoxa u betuan para (Gentianit-Tonit), deri sa vdekja do ti ndajë…

Pastori ka hyrë në histori. Sot nuk e kupton për aq kohë sa ia kanë zënë sytë benefitet e një posti dhe mosfunksionimi i gjykimit, për të qartësuar faktin se është kthyer si të “parët e tij” komunistë, që rrënuam objektet e kultit, duke ngritur si “kult-mit” figurën e diktatorit Hoxha. Edhe Gogu nuk ka bërë asgjë më pak se ata trularë që thonin se nuk ka Zot. Sot ai le të kuptohet se “Zota” janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Me vendimin e tij u gatua prishja e Teatrit Kombëtar, në shkelje të plotë të ligjit. Pasi e bëri fakt të kryer po në kundërshtim me ligjin ia dërgoi për një “firmë virtuale” 60 këshilltarëve bashkiakë. Në profesion “thonë” se është jurist dhe mjaftojnë vetëm pak njohuri elemntare për të kuptuar se pastori i ktheu statuset në rrjetet sociale dhe urdhrat gojore të Ramës dhe Veliajt në vendime.

Që ligji është shkelur është njëra anë, por ka edhe një shkelje të madhe morale nga një njeri që e konsideron veten njohës i besimit. Cilido besim të sugjeron që nuk duhet të mashtrosh dhe dhunosh. Gogu i Bashkisë Tiranë bëri të kundërtën. U fut në një proces për prishjen e Teatrit Kombëtar duke u bërë kamikaz i shkatërrimit të një objekti 81-vjeçar që mbartte vlera kulturore, arkitekturore dhe emocionale.

Gogu i bashkisë u kthye në “gogolin” e vlerave kulturore, duke trazuar shpirtrat e shumë qytetarëve, që panë të rrëzohej nga fadromat e pushtetit jo vetëm një godinë, por dinjiteti i tyre, i cili u mbulua nën rrënoja, mes paligjshmërisë së pushtetarëve dhe arrogancës së zyrtarëve të llojit “Pastor Genti-Toni”!

Drejtësia e vjetër apo e reja, mund ta falë Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, sepse është kapur që në gjenezë nga “Zoti i së keqes”, kryeministri Edi Rama, po moral dhe breje ndërgjegje a ka ky bir…i Perëndisë? Është e kotë ti kujtohet morali një individi që për “Bibël” ka urdhresat e atyre që e katapultuan në poste të rëndësishme drejtuese!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit