Nexhmedin Danaj, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash, është arrestuar në Dubai.
Danaj dyshohet se është pjesë e grupit të Visit të Pojës, i cili është vënë në shënjestër të hetimeve të zhvilluara nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”.
Hetimet kanë në fokus një rrjet të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrimin e produkteve të aktivitetit kriminal. Sipas dyshimeve të hetuesve, Danaj ka pasur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se janë siguruar nga trafiku i kokainës.
Një pjesë e parave dyshohet se është transferuar drejt Dubait, përmes një kompanie me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përdorur skema që synonin fshehjen e origjinës së fondeve.
Në kuadër të operacionit “Ura”, autoritetet vendosën nën sekuestro edhe kompaninë “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesin “Dubai Inn”.
Pas arrestimit të tij në Dubai, Policia e Shtetit ka bërë me dije se kanë nisur procedurat për ekstradimin e Nexhmedin Danajt drejt Shqipërisë, ku ai pritet të përballet me procedurat penale në kuadër të hetimit.