Pastruan 30 mln euro përmes blerjes së pronave në Dhërmi, 4 të pandehur për gjykim

Pastruan 30 mln euro përmes blerjes së…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024 ndaj Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere. Domingo Romillo Iriarte akuzohet për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, sipas neneve 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal. Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo akuzohen për të njëjtat vepra, sipas neneve 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, ndërsa Doris Pere akuzohet për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal. Sipas SPAK, të pandehurit krijuan dhe përdorën shoqëritë tregtare “Wingëort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë qershorit 2024 me kapital minimal dhe në të njëjtën adresë, por pa zhvilluar aktivitet real ekonomik, me qëllim futjen në ekonominë formale të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale përmes transaksioneve bankare e tatimore, faturave të dyshuara fiktive, pagesave pa dokumentacion justifikues dhe transfertave ndërkombëtare me subjekte të huaja.

Sipas hetimeve, shoqëria “Wortend” sh.p.k. realizoi qarkullime financiare në vlera të larta, të papërputhshme me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike. Prokuroria ka evidentuar kreditime bankare që tejkalonin vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj kompanive të huaja pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlera të konsiderueshme. Një pjesë e fondeve u përdor për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh, kundrejt shumës 1,621,200 euro. Akti i ekspertimit vlerësues ka konkluduar se vlera reale e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratë, duke ngritur dyshime për nënvlerësim të qëllimshëm të transaksionit.

SPAK bën me dije se gjatë hetimeve është administruar informacion i ardhur nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi edhe për vepra penale të mashtrimit. Sipas analizës së provave, Domingo Romillo Iriarte kishte rolin drejtues dhe organizues të skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera. Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kontribuan në funksionimin e strukturës kriminale përmes roleve të tyre formale në “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke krijuar pamjen e ligjshme të aktivitetit ekonomik dhe duke ndihmuar në qarkullimin e fondeve, ndërsa Doris Pere dyshohet se kreu veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave të shoqërive dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre. Ndërkohë, mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, ndërsa SPAK vlerëson se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit