Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë në fuqi më 7 gusht 2026, duke sjellë masa më të rrepta për një sërë shkeljesh në trafik.
Ligji nr. 58/2026 parashikon sanksione më të ashpra për drejtuesit që përdorin celularin në timon, kryejnë manovra të rrezikshme, drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit apo kapen pa leje drejtimi.
Manovrat e rrezikshme, gjoba deri në 60 mijë lekë
Një nga ndryshimet prek drejtpërdrejt sjelljet që konsiderohen të rrezikshme në rrugë. Në këtë kategori përfshihen drejtimi me shpejtësi të papërshtatshme në rrugë me fushëpamje të kufizuar, manovrat agresive, kalimet e shpeshta nga njëra korsi në tjetrën pa sinjalizim, si dhe veprime të tjera që mund të rrezikojnë përdoruesit e rrugës. Masat janë veçanërisht të rëndësishme në zona urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve. Për këto shkelje, gjobat tashmë variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Celulari në timon, pezullim patente pas dy shkeljesh
Edhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit ndëshkohet më ashpër. Me rregullat e reja, patenta pezullohet në rast se drejtuesi kapet dy herë brenda të njëjtit vit duke përdorur telefonin gjatë drejtimit. Më parë, pezullimi aplikohej pas tre shkeljesh.
Sanksioni nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e automjeteve. Përdorimi i celularit gjatë drejtimit ndalohet dhe ndëshkohet edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Rregulla të veçanta për shoferët e rinj
Ndryshimet prekin edhe personat që kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit. Për drejtuesit e rinj parashikohen kufizime të posaçme për drejtimin nën ndikimin e alkoolit, si dhe rregulla specifike sa i përket shpejtësisë.
Masa të reja parashikohen edhe për personat që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Në këto raste, e drejta për të marrë patentën mund të shtyhet deri në një vit, ndërsa për të miturit periudha e shtyrjes shkon deri në dy vjet.
Nuk mund të paguash më për të shmangur pezullimin e patentës
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e zbatimit të masës së pezullimit të lejes së drejtimit. Deri më 7 gusht, në rastet kur krahas gjobës parashikohej edhe pezullimi i patentës, drejtuesi kishte mundësi ta shmangte këtë masë duke paguar një shumë sa dyfishi i vlerës maksimale të gjobës.
Ky mekanizëm është tashmë hequr. Nëse për një shkelje Kodi Rrugor parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, masa do të zbatohet dhe nuk mund të zëvendësohet më me pagesë.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë informuar mbi ndryshimet dhe janë udhëzuar për zbatimin e dispozitave të reja.