Patinave elektrike u kushtëzohet lëvizja, ja ndryshimet që po diskutohen

Patinave elektrike u kushtëzohet lëvizja, ja ndryshimet…

Në rrugët e Tiranës ndodh rëndom që të shikosh të rinj që lëvizin me patina elektrike si një mënyrë e shpejtë për të shkuar në destinacionin e caktuar, duke shmangur shërbimin e ngadaltë të urbanëve ose përdorimin e automjetit në trafikun e rënduar. Por qarkullimi i këtyre patinave jo në pak raste bëhen shkaktarë për aksidente automobilistike për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e tyre.

Denoncimet e shumta të bëra nga drejtuesit e automjeteve, duket se do ua kushtëzojnë lëvizjen në rrugët e kryeqytetit patinave elektrike. Kjo pasi ato do të duhet që të kenë një targë identifikuese, numër serie si dhe elementë të tjerë sigurie mes tyre dhe kaskë mbrojtëse. Ndryshimet janë duke u diskutuar mes Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Transporteve, ku do të vendoset nëse do të futen ose jo në kodin rrugor.

Në ndryshimet që po bëhen pritet të jetë dhe caktimi i moshës minimale 16-vjeç për drejtuesit e tyre. Sipas përfaqësuesve të Policisë Rrugore, ka pasur denoncime që përdoruesit e tyre qarkullojnë me shpejtësi shumë të lartë deri në 130 km/h, dhe për këtë arsye shpejtësia maksimale do të vendoset 25 km/h, në të kundërt patina elektrike do të hyjë në grupin e motomjeteve.

Statistikat e uniformave blu kanë treguar se gjatë muajve të fundit, numri i aksidenteve të shkaktuara nga patinat elektrike është shtuar. Drejtuesit e tyre shpesh bëhen pengesë dhe për këmbësorët, pasi lëvizin ose parkohen në trotuaret e ngushtë të Tiranës!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit