Pazaret e drogës i hanë kokën shqiptarëve, arrestohen 4 autorët e vrasjes në Belgjikë

Pazaret e drogës i hanë kokën shqiptarëve,…

Katër persona të dyshuar për përfshirje në dy vrasje të ndodhura brenda pak orësh në Bruksel, mes tyre edhe atë të një shqiptari pranë Parlamentit Evropian, janë ekstraduar drejt Belgjikës pas arrestimit në Spanjë dhe Francë.

Sipas mediave belge, hetuesit dyshojnë se të njëjtët persona kanë kryer të dyja ekzekutimet më 12 tetor 2026. Bëhet fjalë për vrasjen e shqiptarit në lagjen Elsene dhe atë të efektivit të policisë belge, Nordine El Talbi, 41 vjeç, në Jette.

Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 17:50 në rrugën Wiertz, pranë Parlamentit Evropian. Shqiptari u qëllua disa herë me armë zjarri në hollin e një pallati. Ai dyshohet se u godit me shtatë ose tetë plumba në gjoks dhe humbi jetën në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës.

Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi mund të ketë lidhje me larje hesapesh në rrjetet e trafikut të drogës dhe se mund të jetë kryer me pagesë. Identiteti i viktimës shqiptare nuk është bërë ende publik.

Vetëm disa orë më vonë, të njëjtët persona dyshohet se kanë vrarë edhe policin belg Nordine El Talbi. Efektivi ishte angazhuar në një operacion për lokalizimin e një automjeti tip Volkswagen T-Cross, të vjedhur gjatë një grabitjeje me dhunë në Tubize.

Kur policia arriti të gjente automjetin në lagjen Jette, El Talbi iu afrua për të kontrolluar situatën, por personat që ndodheshin brenda hapën zjarr ndaj tij. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Katër të dyshuarit u arrestuan jashtë Belgjikës. Tre prej tyre u kapën në Almería të Spanjës, ndërsa i katërti u arrestua në një stacion hekurudhor në Paris. Sipas raportimeve, tre personat e arrestuar në Spanjë dyshohet se po tentonin të largoheshin drejt Marokut. Mes katër të dyshuarve ka edhe një të mitur.

Ndërkohë, në Bruksel janë arrestuar edhe dy persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjet. Njëri prej tyre është liruar për mungesë provash, ndërsa tjetri vijon të qëndrojë në paraburgim.

Sipas autoriteteve belge, personat nën hetim janë nga Brukseli dhe njihen për lidhjet e tyre të dyshuara me rrjetet e trafikut të drogës.

Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e dy vrasjeve, si dhe rolin konkret që secili prej të dyshuarve ka pasur në ekzekutimet e 12 tetorit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit