Në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku ajri rëndohet nga aromat e parfumeve të shtrenjta të paguara ose jo me para korrupsioni, sot u luajt një nga skenet më groteske të teatrit tonë politik. Në letër, rendi i ditës dukej si një nga ato arritjet e zakonshme propagandistike: miratimi i 1500 kredive të buta për familjet që ëndërrojnë një strehë. Por në realitet, siç e pranojnë me ironi vetë këshilltarët, këta 1500 aplikues fitues do të marrin letrat e miratimit, por zor se do të shohin ndonjëherë një çelës shtëpie në duart e tyre, në një qytet ku çmimet e apartamenteve kanë kapur qiellin.
Sidoqoftë, spektakli i vërtetë nuk kishte të bënte fare me hallet e qytetarëve, por me “dhimbjen” e papritur për fatin e Erion Veliajt. Pasi u zhvendos nga qelia drejt burgut të Fierit, Këshilli Bashkiak si socialist ashtu dhe demokrat u shndërrua papritur në një sallë gjyqësore e procedurale se si po trajtohet kryebashkiaku i izoluar. Me një kapërcim surreal nga akuzat e zakonshme, opozita u ngrit të pyeste me shqetësim se si ka mundësi që Veliaj u “rrëmbye” pa dokument zyrtar, thjesht për shkak të një statusi në Facebook që nuk i pëlqeu shefit të qeverisë.
Është vërtet mahnitëse të shohësh se si shqetësimi kryesor i politikanëve tanë nuk janë më , por nëse po zbatohet me përpikmëri etiketa e protokollit gjatë dërgimit të kryebashkiakut në Fier.