Një pedagog ka denoncuar publikisht largimin nga puna për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestën qytetare që prej 48 ditësh zhvillohet në Tiranë kundër klasës politike.
Artan Manushaqe ka publikuar dokumentin e shkarkimit nga Kolegji Universitar i Biznesit, ku thuhet se masa disiplinore “largim nga puna” është marrë, ndër të tjera, për shkak të përfshirjes së tij në “aktivitete dhe angazhime publike me karakter politik”. Në dokument përmenden gjithashtu postime në rrjetet sociale ku ai paraqitet si lektor i institucionit gjatë pjesëmarrjes në protesta.
Sipas Manushaqes, ai ka punuar për 5 vite e 6 muaj në këtë institucion dhe nuk ka pasur asnjë masë disiplinore gjatë gjithë karrierës së tij si pedagog.
Në reagimin e tij publik, ai mohon të ketë përfaqësuar ndonjëherë universitetin në protesta, duke theksuar se ka marrë pjesë vetëm si qytetar dhe se nuk ekziston asnjë provë që të ketë përdorur statusin e tij akademik për të përfaqësuar institucionin.
Pedagogu e cilëson vendimin diskriminues dhe të paligjshëm, duke argumentuar se janë shkelur Kushtetuta, Kodi i Punës, Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe standarde të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai njofton se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, brenda dhe jashtë vendit.
Në fund të reagimit të tij, Manushaqe shprehet se largimi nga puna nuk do ta ndalojë të vazhdojë të marrë pjesë në protestat qytetare.
“A mund të largohet nga puna një pedagog vetëm sepse merr pjesë në protesta, jashtë institucionit dhe pa e lidhur në asnjë mënyrë universitetin ku punon? Asgjë nuk mund të më ndalojë të shpreh mendimin dhe bindjet e mia. Një derë mbyllet, dhjetë të tjera hapen. Sot dhe më shumë se kurrë do të jem në protestë”, shkruan ai në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë i tij në Facebook:
Të dashur miq lexojeni me pak durim.
Në datën 29 qershor 2026, Kolegji Universitar i Biznesit më ka larguar nga puna si pedagog, pas 5 vitesh e 6 muajsh punë në këtë institucion, me arsyetimin se kam marrë pjesë në aktivitete dhe angazhime publike me karakter politik ( protesta ) si dhe se kam “cënuar figurën, paanshmërinë dhe neutralitetin politik të institucionit, duke krijuar perceptimin e përfshirjes së institucionit në angazhime me karakter politik”, sipas pretendimit të tyre, dhe se ata më kanë paralajmëruar disa herë lidhur për sa mê sipër.
Më tej, ata shprehen se “kanë verifikuar komunikime/postime në rrjetet sociale ku unë jam paraqitur si lektor/pedagog i KUB”.
Përgjigjja ime është kjo;
Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, në protestat ku kam marrë pjesë apo do të marrë pjesë, nuk jam paraqitur si pedagog përfaqësues i Kolegjit Universitar të Biznesit, as publikisht dhe as privatisht. Ka zero fakte e prova dhe ka vetëm gënjeshtra të stisura, që ata i dinë vetë.
Dëshmitarë janë mediat publike këto vite dhe rrjetet e mia personale sociale por edhe publiku.
Moralisht, nëse gjeni qoftë edhe një moment apo një fjali të vetme të thënë nga unë ku të kem deklaruar: “Jam këtu në protestë apo në një angazhim publik politik si pedagog/përfaqësues i Kolegjit Universitar të Biznesit”, unë do t’ju kërkoj ndjesë publike. Në të kundërt, duhet të më kërkoni ju mua ndjesë publike dhe opinionit publik, pasi rruga ligjore dhe transaprenca do të vazhdoj në institucionet vendase dhe ndërkombëtare për të mbrojtur dinjitetin tim dhe dinjitetin e një pedagogu në Shqipëri.
Unë nuk kam nevojë për pasthirrma apo për t’u fshehur pas emrit të një institucioni. Unë kam emrin dhe mbiemrin tim si çdo qytetar në këtë vend, në çdo protestë dhe në çdo qëndrim publik, sepse kjo është pjesë e etikës dhe e mënyrës sime të të menduarit e vepruarit.
Gjatë gjithë periudhës së punës kudo ku kam qënë një jetë të tëre unë kurrë nuk kam pasur asnjë masë disiplinore. Kam qenë korrekt e serjoz në punë, veçanërisht në procesin e mësimdhënies me studentët e mi dhe në marrëdhëniet me kolegët pedagogë, për të cilët gëzoj respekt.
Kush ka punuar me mua e di mënyrën time të punës. Gjithashtu, mund të verifikohen raportet e brendshme të institucionit gjatë këtyre 5 viteve e 6 muajve për performancën time dhe mësimdhëniet si pedagog në Universitetet Europiane, Erasmus +, si në Spanjë, Letoni, Lituani e me radhë.
Largimi i menjëhershëm nga puna përmban disa shkelje ligjore.
Është shkelur afati i njoftimit, si dhe procedura e dëgjimit dhe konsultimit.
Njoftimi për largim nga puna mu njoftua verbalisht rreth orës 10:00 të datës 29 qershor nga rektori në zyrën e tij.
Ndërsa në orën 16:58 të po asaj dite, më është dërguar me email nga institucioni njoftimi për largimin nga puna, së bashku me dokumentin e firmosur nga rektori.
Sipas vlerësimit tim, janë cenuar disa dispozita ligjore,
1. Është cenuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 18, i cili garanton barazinë para ligjit dhe ndalon diskriminimin për shkak të bindjeve apo qëndrimeve politike.
2. Është cenuar Ligji për Arsimin e Lartë nr. 80/2015, neni 8, i cili përcakton se institucionet e arsimit të lartë garantojnë trajtim të barabartë dhe ndalojnë diskriminimin për çdo person, pavarësisht bindjeve politike apo karakteristikave të tjera.
3. Është cenuar Ligji nr. 10221/2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, përkatësisht nenet 1, 17 dhe dispozitat në vijim.
4. Është cenuar neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhet me mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe Protokolli nr. 12 i kësaj Konvente.
5. Janë cenuar gjithashtu një sërë standardesh dhe direktivash evropiane lidhur me barazinë, arsimin dhe marrëdhëniet e punës.
6. Janë cenuar dispozitat e Kodit të Punës, përfshirë nenin 143 për afatin e njoftimit dhe nenin 144 për procedurën e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës.
Ekzistojnë shumë prova dhe fakte të tjera që vërtetojnë dhe do të vërtetojnë se “largimi im nga puna me efekt të menjëhershëm” është i paligjshëm dhe diskriminues.
( nuk po flas për modelin e paligjshmërisë së kontratës..por do ta diskutojmë atë kemi kohë..)
Në këto kohë ka pasur edhe përpjekje për heqjen e dokumenteve nga emaili institucional, veçanërisht të njoftimit për largimin nga puna si dokument bashkëngjitur (attach). Çdo pedagog ka një email institucional që hapet, mbyllet apo kontrollohet nga institucioni.
Nuk e di se nga kush është bërë kjo, por jam në proces verifikimi. Dokumentin e publikuar prej meje e kam ruajtur edhe në një email tjetër.
Çdo dokument është ruajtur në mënyrën e duhur dhe në përputhje me ligjin. Kam rreth dy javë që ju kërkoj disa vërtetime pune dhe lëndësh që kam dhënë për mbi 5 vjet dhe nuk mi japin por nxjerrin justifikime, të tipit hajde firmose dorëheqjen, se siç duket kanë rënë këmbanat. Dmth unë “armik i popullit”!
Nuk ekziston asnjë bazë ligjore dhe faktike për largimin tim nga puna si pedagog.
Pyetjet që unë shtroj janë:
A mund të largohet nga puna një pedagog vetëm sepse merr pjesë në protesta ( jashtë institucionit, pa e përmendur dhe pa e lidhur në asnjë mënyrë institucionin ku punon ) kundër qeverisë?
A mund të largohet nga puna një pedagog sepse shpreh mendimin e tij personal (jashtë institucionit, pa e përmendur dhe pa e lidhur në asnjë mënyrë institucionin ku punon) kundër qeverisë, një pushteti apo një partie politike?
Miq, mos u dekurajoni, mos u friksoni, luftoni se do të fitojmë e drejta dhe Zoti është me ne.
Asgjë nuk mund të më ndalojë mua të shpreh mendimin dhe bindjet e mija, etike, ligjore e të drejta për këdo pavarësisht çdo kostoje.
Si përfundim
Sot dhe më shumë se kurrë në protestë.
Një derë mbyllet 10 të tjera hapen.
Dashuria për atdheun ka kostot e veta. Ne i kemi pranuar ato dhe do të vazhdojmë t’i dalim zot kësaj toke të bekuar nga natyra dhe Zoti.
( Më poshtë për transparencë me publikun dhe median, emaili i nisur nga institucioni, dhe dokumenti i firmosur nga rektori i institucionit për largimin tim të menjëhershëm nga puna, ku shihen qartë diskriminimi ligjor e kushtetues si themel ndaj meje dhe paligjshmëria si procedurë.
E na falni për gabimet ortografike në dokumentin e institucionit të arsimit të lartë, të nisur në emailn tim, se janë bërë nga nxitimi… )
Me respekt,
Artan Manushaqe



