Pelegrinazhi dhe historia e Abaz Aliut që pushoi 5 ditë në malin e Tomorrit

Pelegrinazhi dhe historia e Abaz Aliut që…

Çdo vit, nga 20 deri më 25 gusht, mali i Tomorrit kthehet në një nga qendrat më të mëdha të pelegrinazhit bektashian në Shqipëri, duke mbledhur mijëra besimtarë në nderim të Abaz Aliut. Por kush ishte figura që qëndron në qendër të kësaj tradite? Abaz Aliu, i njohur në historinë islame si Abbas ibn Ali, ishte djali i Imam Ali ibn Ebi Talibit, kushëririt dhe dhëndrit të Profetit Muhamed. Imam Aliu, i lindur rreth vitit 600 në Mekë dhe i vrarë në vitin 661 në Kufa, ishte figura e katërt e kalifatit të hershëm islam dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë islame. Për myslimanët shiitë ai konsiderohet imami i parë, ndërsa në traditën bektashiane nderohet si një prej figurave themelore të besimit.

Abaz Aliu jetoi në shekullin VII dhe u bë i njohur veçanërisht për rolin e tij në Betejën e Qerbelasë, e zhvilluar në vitin 680 në Irak. Ai ishte vëllai i Imam Hysenit, djalit tjetër të Imam Aliut, dhe u vra duke mbrojtur familjen e tij gjatë përplasjes. Qerbela u shndërrua më pas në një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shiite, ndërsa Abaz Aliu u përjetësua si simbol i besnikërisë, sakrificës dhe qëndresës. Në traditën shqiptare bektashiane, historia e tij u lidh më vonë me malin e Tomorrit përmes gojëdhënave që tregojnë se Abaz Aliu erdhi në këtë mal me jë kalë të bardhë  dhe qëndroi aty për pesë ditë. Në majë të Tomorrit ndodhet sot mekami i Abaz Aliut, një vend i shenjtë që simbolizon praninë e tij dhe që vizitohet gjatë pelegrinazhit.

Pelegrinazhi i Tomorrit nuk është vetëm një ngjarje fetare, por edhe një traditë e ndërthurur me historinë dhe kulturën shqiptare. Gjatë pesë ditëve, besimtarët ngjiten në mal, luten, vizitojnë vendet e shenjta dhe kryejnë ritualin e kurbanit, një praktikë që lidhet me traditën islame të sakrificës dhe që në Tomorr është integruar në mënyrë të veçantë në ritin bektashian. Mali vetë konsiderohet një vend i shenjtë shumë më i hershëm se bektashizmi, çka e bën historinë e Tomorrit një ndërthurje të traditave të lashta, besimit islam-bektashian dhe kulturës shqiptare. Edhe Naim Frashëri e përjetësoi këtë traditë në veprën e tij, duke e lidhur Abaz Aliun me malin dhe me identitetin shpirtëror shqiptar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit