Penalltitë 'zgjodhën' Egjiptin: Faraonët shkruajnë historinë, Salah shpërthen në lot

Penalltitë ‘zgjodhën’ Egjiptin: Faraonët shkruajnë historinë, Salah…

Egjipti ka shkruar një faqe historike në Botërorin 2026, duke siguruar për herë të parë një fitore në fazën me eliminim direkt. “Faraonët” triumfuan 4-2 ndaj Australisë pas goditjes së penalltive në Dallas, pasi 120 minutat e lojës u mbyllën në barazim 1-1. Në fund të sfidës, Mohamed Salah nuk i përmbajti emocionet dhe shpërtheu në lot, teksa festoi me shokët e skuadrës kualifikimin historik.

Tashmë Egjipti do të përballet me Argjentinën në raundin e ardhshëm, në një duel që premton spektakël.

Australia e nisi më mirë ndeshjen dhe iu afrua golit që në minutat e para me Cristian Volpato, ndërsa Jordan Bos humbi një tjetër rast të mirë. Megjithatë, ishin egjiptianët ata që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 13-të, Karim Hafez krosoi saktë nga krahu i majtë dhe Emam Ashour realizoi me kokë për rezultatin 1-0.

Egjipti dominoi pjesën e parë në posedim dhe krijoi më shumë raste, edhe pse Mohamed Salah mbeti për pjesën më të madhe i izoluar në repartin ofensiv.

Menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, Omar Marmoush shpërdoroi një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat. Australia reagoi dhe arriti të barazojë falë një autogoli të Mohamed Hany, i cili devijoi në rrjetën e tij një goditje dënimi.

Në vazhdim, të dyja ekipet patën mundësi për të fituar ndeshjen. Portieri australian Patrick Beach bëri një pritje fantastike ndaj goditjes me kokë të Ramy Rabias, ndërsa Harry Souttar largoi topin mbi vijën fatale në një tjetër rast të rrezikshëm. Edhe Salah pati shansin e tij më të mirë, por tentativa e sulmuesit të Liverpoolit përfundoi mbi traversë.

As 30 minutat shtesë nuk sollën fitues, duke e çuar sfidën te penalltitë. Australia hodhi në fushë veteranin Mathew Ryan pak para fundit me synimin për të qenë më e përgatitur për serinë vendimtare.

Nga pika e bardhë, fati ishte në anën e Egjiptit. Harry Souttar gaboi penalltinë e parë të australianëve, ndërsa Mohamed Salah realizoi me shumë klas një “Panenka” spektakolare. Më pas, gabimi i 18-vjeçarit Lucas Herrington i hapi rrugën Hossam Abdelmaguid, i cili shënoi penalltinë vendimtare dhe vulosi fitoren 4-2.

Pas vërshëllimës së fundit, emocionet pushtuan kampin egjiptian. Mohamed Salah shpërtheu në lot, i mbingarkuar nga gëzimi për arritjen historike të kombëtares së tij, e cila për herë të parë siguron një kualifikim të tillë në Kupën e Botës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit