Pendohet Berisha: Nuk kërkoj shkrirjen e SPAK as largimin e Altin Dumanit

Pendohet Berisha: Nuk kërkoj shkrirjen e SPAK…

Kreu i opozitës, Sali Berisha, gjatë një emisioni televiziv theksoi se Partia Demokratike nuk synon të shpërbëjë SPAK-un apo të largojë kreun e tij aktual, por kërkon të sigurojë të drejtën e qytetarëve për një proces ligjor të drejtë.

“PD as nuk ka kërkuar dhe as nuk kërkon shkrirjen e SPAK, po ashtu nuk synon largimin e Altin Dumanit. Partia Demokratike ka luftuar dhe do të vazhdojë të luftojë për të drejtën e qytetarëve për një proces ligjor të ndershëm. Sot, kjo e drejtë mungon plotësisht, pasi një qytetar duhet të presë deri në 15 vite për të përfunduar një çështje civile në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” deklaroi ai.

Duke u ndalur te problematikat e sistemit të drejtësisë, Berisha shtoi: “Nuk ka asnjë vend në botë ku një prokuror, pasi dërgon dosjen te gjykatësi, mund të kontrollojë telefonin e tij apo ta vëzhgojë. Kjo përbën asgjësimin e plotë të gjykatësit. Këto janë problemet më të mëdha të drejtësisë sonë.”

Kur u pyet nëse do të bashkëpunonte me Ramën për reformën në drejtësi, ai u përgjigj: “Nuk është çështje e Ramës. Bëhet fjalë për Komisionin e Venecias, një institucion me ekspertët më të mirë të ligjbërjes, të cilit i besoj plotësisht. Ky komision ka paralajmëruar rrezikun e krijimit të një strukture të pakontrollueshme, që del jashtë çdo standardi.”

Në një deklaratë të mëparshme më 17 shkurt para selisë së SPAK, Berisha u shpreh se nëse do të dalë fitues në zgjedhjet e 11 majit, SPAK do të shpërbëhet dhe prokurorët e lidhur me grupet kriminale do të ndëshkohen.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit