Edhe pse duhet të gëzonin pleqërinë dhe të kishin mundësi të shëtisnin si bashkëmoshatarët e tjerë nëpër vende të ndryshme të Evropës, pensionistët shqiptarë janë të detyruar të punojnë për të siguruar të ardhurat minimale të jetesës.
3.4% e personave që kanë dalë në pension në vendin tonë, rreth 17 mijë qytetarë, vijojnë ende të punojnë. Kjo për disa faktorë!
Një ndër ta është pensioni i ulët që marrin moshat e treta. Shqipëria ka pensionin mesatar 18 800 lekë në muaj, çka e rendit vendin tonë në mesataren më të ulët në nivel evropian. Të gjendur në këto kushte, pensionistët shohin si rrugëdalje pasjen e një pune e cila mund t’i sjellë të ardhura në rastet më të mira sa dy herë pensioni që marrin.
Faktor tjetër është mungesa e fuqisë punëtore. Bizneset shqiptare vuajnë prej kohësh pasjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Kjo edhe për shkak të ikjes masive të të rinjve në emigrim.
Pronarët e bizneseve preferojnë të mbajnë në punë pensionistët që kanë një përvojë të caktuar, duke i dhënë paga më të ulëta se sa një të riu. Kjo edhe duke shfrytëzuar nevojën që pensionistët kanë për disa të ardhura shtesë.