Një situatë shqetësuese raportohet në Postën e Plazhit, në Durrës, ku pensionistët detyrohen të presin çdo ditë në radhë për të tërhequr pensionin e tyre.
Sipas denoncimit të një qytetari për JOQ Albania, të moshuarit paraqiten që në orën 07:00 të mëngjesit dhe presin deri në orën 13:00, por shpesh largohen pa marrë pensionin, edhe pse u ka ardhur data e tërheqjes.
Shkak, sipas qytetarit, është mungesa e parave në postë. Shumat që mbërrijnë nuk mjaftojnë as për 10 pensionistë, ndërsa të tjerët detyrohen të presin sërish, të kthehen ditën tjetër dhe të përballen me të njëjtën situatë.
Është e papranueshme që njerëz të moshuar, të cilët kanë punuar gjithë jetën, të detyrohen të sorollaten çdo ditë për të marrë paratë që u takojnë.
Deri kur pensionistët do të duhet të presin me orë të tëra për të marrë pensionin e tyre?Kërkohet ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për të zgjidhur sa më parë këtë problem.