Për herë të tretë në protestë, kërcënohen blegtorët e jugut

Për herë të tretë në protestë, kërcënohen…

Blegtorët e jugut janë mbledhur përsëri këtë të enjte në protestë në urën e Kardhiqit, pasi kërkesat e tyre nuk po dëgjohen nga Ministria e Bujqësisë dhe qeveria e Edi Ramës.

Për herë të tretë blegtorët ngritën zërin për kushtet e vështira në të cilat gjenden dhe mungesën e mbështetjes financiare me subvencione. Protestuesit treguan katër kërkesat e tyre që lidhen me vendosjen e çmimit dysheme të qumështit 160 lekë/litër i cili është ulur për shkak të monopolizimit të tregut nga fabrikat e përpunimit, problemin e zhvlerësimit të mishit vendas i cili është zëvendësuar me produkt importi, subvencionet e vogla dhe të munguara për bagëtitë e imta të cilat në krahasim me vendet e rajonit kanë shumë diferencë, dhe mungesën e kullotave që prej 30 vitesh nuk janë rigjeneruar duke u kthyer në zona të pyllëzuara dhe të mbushura me shkurre.

Gjatë protestës blegtorët kanë pasur një takim të shkurtër me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, dhe ministren e Turizmit Mirela Kumbaro, të cilat thanë se do t’i presin në një takim! Ministret në fjalë nuk kishin shkuar në Kardhiq posaçërisht për t’u takuar me blegtorët, por u ndaluan nga këta të fundit në momentin që po kalonin.

Në vend që institucionet t’i japin zgjidhje problemit të qytetarëve, blegtorët thonë se janë përballur me presione, se nëse do të vijojnë protestat do t’u heqin familjarët nga puna dhe nuk do t’i njohin certifikatat e kullotave. Të gjendur në këto kushte, mbarështuesit e bagëtive të imta tregojnë se po detyrohen që ta shesin qumështin me një çmim jo real, kur kostoja e produkteve ushqimore për bagëtitë është dyfishuar. Ata tregojnë se e kanë shumë të vështirë jetesën, dhe shpesh mendojnë që t’i shesin dhe të largohen në emigrim.

Protesta të ngjashme janë mbajtur dhe nga blegtorët e Fierit, të cilët shprehin shqetësimin e zhvlerësimit të produkteve të tyre dhe mungesën e subvencioneve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit