Prindër e nxënës së shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në qytetin e Durrësit, kanë dalë në protestë paraditen e kësaj të premteje pas njoftimit se oficeri i sigurisë është pushuar nga puna.
Shkak për këtë vendim është bërë numri i ulët i nxënësve në arsimin e mesëm, duke mos plotësuar kufirin minimal të nevojshëm për të vendosur oficeri e sigurisë. Në këtë institucion arsimor që konsiderohet si shkollë e bashkuar, mësojnë fëmijë nga moshat 7 deri në 18-vjeçare.
Në total shkolla ka 324 nënës, por vetëm 79 prej tyre janë në arsimin e mesëm. Duhet të ishin 80 nxënës në gjimnaz, që oficeri i sigurisë të mos hiqej nga puna.
Ky vendim ka shqetësuar prindërit të cilët nuk dihen të sigurt për fëmijët e tyre.
Një prind tha: “Dje patëm një mbledhje me drejtoreshën e prindërit e na u njoftua për shtim të sigurisë në shkolla. Tani na u njoftua që dje kishte ardhur një email për largimin e oficeres së sigurisë. Shkak për mungesë të një nxënësi”
Të tjerët kërkojnë një rishikim të vendimit, për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme.
“Siguria është gjëja kryesore që duhet të ketë në ditët e sotme. Unë kam frikë të sjell fëmijët pa një oficer sigurie i cili ka qenë në ndihmë të fëmijëve tanë për ti shoqëruar. Do bëjmë peticion. Një fëmijë 6 vjecar, e 7 vjeçar me banjo të përbashkëta. Unë nuk dua të pres në momentin që të ndodhë një tragjedi. Dua ta parandaloj’ thekson prindi i një nxënësi”.
Frika e prindërve është rritur sa i takon sigurisë në shkolla, pas ngjarjes tragjike të ndodhur në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një sherri humbi jetën një 14-vjeçar dhe mbeti i lënduar miku i tij.