
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një klub nate të njohur në Yaounde, kryeqyteti i Kamerunit, tha qeveria. Zjarri u shkaktua nga fishekzjarrët e përdorura në klub.
Zjarri përfshiu dhomën kryesore të Liv’s Night Club në lagjen e lartë Bastos të kryeqytetit, shtëpia e ambasadave dhe rezidencave të diplomatëve. Autoritetet thanë se zjarri u përhap në një vend ku po ruhej gazi për gatim.
“Ne jemi ende në nivelin e hetimeve për të gjetur emrat dhe kombësitë e të vdekurve dhe të plagosurve”, tha të dielën zëdhënësi i qeverisë Rene Emmanuel Sadi.
“Tragjedia, e cila u shkaktua nga shpërthimet nga fishekzjarrët e përdorura shpesh në këto vende, fillimisht dogji tavanin e ndërtesës, duke rezultuar në dy shpërthime shumë të forta, e duke shkaktuar panik dhe rrëmujë”, tha ministria e komunikimeve, përcjellin mediat e huaja.
“Ka pasur shpërthime të forta nga gjashtë shishe gazi, duke shkaktuar panik në lagje.” thuhet në deklaratën e qeverisë, duke shtuar se tetë të tjerë u plagosën dhe u dërguan në Spitalin Qendror të Yaounde. Një roje sigurie e pranishme në momentin e zjarrit tha se “ndodhi shumë shpejt”.