Spitali Rajonal i Durrësit është përfshirë në një reagim publik me hije të rënda etike e ligjore, pasi ka nxjerrë në dritë informacione konfidenciale shëndetësore të një pacienti, në përpjekje për të rrëzuar mediatikisht një raportim.
Së fundmi, disa media raportuan se shtetasi A.A., 52 vjeç, kishte ndërruar jetë pasi ishte nxjerrë nga spitali dhe ishte braktisur në rrugë. Përmes një deklarate zyrtare, spitali sqaroi se pacienti është gjallë, ndodhet në repartin e Terapisë Intensive dhe i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale.
Mirëpo, nëse përgënjeshtrimi mbuloi vetëm pretendimin për ndarjen nga jeta, thelbi i denoncimit se 52-vjeçari ishte lënë jashtë ambienteve spitalore në gjendje të rënduar, mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare nga institucionet përgjegjëse.
Thyerja e sekretit mjekësor
Pjesa më e diskutueshme e reagimit institucional lidhet me mjetet e përdorura nga mjekët për të mbrojtur figurën e spitalit. Në deklaratën e tyre, bluzat e bardha bënë publike detaje tejet konfidenciale mbi shëndetin e A.A., duke zbuluar se ai është mbartës i virusit HIV, përdorues heroine, përfitues i programit të metadonit, si dhe ngritën dyshime se kishte konsumuar lëndë narkotike përpara se të rikthehej në spital.
Këto të dhëna, që mbrohen me ligj dhe përbëjnë sekretin mjekësor brenda marrëdhënies mjek-pacient, nuk ishin as të nevojshme e as të arsyetueshme për të provuar thjesht faktin se pacienti ishte gjallë.
Shkelje e të drejtave dhe etikës profesionale
Lajmi i rremë apo i paverifikuar i mediave nuk mund të shërbejë si arsyetim për caktimin e standardeve të reja ku historitë personale, sëmundjet infektive dhe varësitë e pacientëve përdoren si argumente publike. Një pacient pavarësisht statusit social, varësive apo gjendjes shëndetësore, nuk mund të kthehet në një mjet për komunikimin publik të institucionit.
Detyra primare e mjekut mbetet ruajtja e jetës dhe konfidencialitetit të pacientit, e jo ekspozimi i diagnozave të tij për t’iu përgjigjur kritikave.
Ngjarja ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë profesionale dhe ligjore: Nëse për të përgënjeshtruar një lajm mediatik një institucion publik ekspozon të dhëna personale e diagnoza sensitive, ku mbetet mbrojtja e të drejtave të pacientit?
Kjo situatë e tejkalon kuadrin e një gabimi në komunikim dhe kërkon vëmendjen e organeve drejtuese dhe urdhrave profesionalë për të analizuar shkeljen e sekreteve mjekësore.