
Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës caktimin e masës “arrest në burg” për 3 ish-zyrtarë të Komunës së Bërxullës dhe një personi të katërt për tjetërsimin e një sipërfaqe toke prej 7500 m2 në Bërxullë.
Sipas hetimeve të përfshirë në këtë skemë janë ish-kryetari i komunës, Ymer Marku, ish-kryeplaku i Bërxullës dhe ish-përgjegjësi i zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës, që akuzohen për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Tiranës kërkoi masën “arrest me burg” për: Ymer Marku, Kujtim Balliu (ish- kryeplaku ), Agim Loci (ish-përgjegjësi i zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës), dhe shtetasi Kujtim Allmeta.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për ish-zyrtarët Ymer Marku, K.B., Agim Loci, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe shtetasin dhe K.A. për veprën penale “Falsifikimi dokumentave”, parashikuar nga neni 186/2 të K.Penal dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 të K.Penal. Po kështu, kjo prokurori kërkoi sekuestrimin e pasurisë 7.500m2 tokë e llojit “Arë” e dyshuar e përfituar në mënyrë të paligjshme“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.