Ka nisur sot zbatimi i amnistisë penale, e cila sjell lirimin ose uljen e masës së dënimit për 1,335 persona të dënuar në Shqipëri. Ligji, i miratuar nga Kuvendi më 18 qershor dhe i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor, përfshin gra, të mitur dhe kategori të tjera të përcaktuara në dispozitat e tij.
Përfitues janë personat ndaj të cilëve janë dhënë vendime të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, edhe në rastet kur vendimet e Gjykatës së Apelit ende nuk janë zbardhur.
Një prej personave që la qelinë pas përfitimit nga amnistia ishte një i dënuar në burgun e Fierit. Ai tha se kishte vuajtur tre vite burg dhe se nga amnistia përfitoi dy muaj ulje dënimi.
“Vuajta 3 vjet për shkelje të ligjit. Përfitova 2 muaj. Sot do të iki në Tepelenë. Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin. Nuk di me çfarë do ta mbaj familjen. Bën vaki të kthehem prapë, ku ta dish”, deklaroi ai pas daljes nga burgu.
Në listën e përfituesve përfshihen edhe të moshuarit burra mbi 60 vjeç dhe gra mbi 50 vjeç si dhe personat që kanë qenë të mitur në kohën kur kanë kryer veprën penale, me përjashtimet e përcaktuara në ligj.