
Në Gazimestan, rreth dhjetë kilometra larg Prishtina, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit, e festuan edhe këtë 28 qershor Vidovdanin, në kujtim të betejës kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.
Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.
Pas ritualit përkujtimor të mbajtur nga kisha, individë, sikurse në vitet e kaluara, filluan të këndonin këngë për Kosovën dhe të bërtisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova është Serbi”.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, më pas, u vendos në dalje dhe disa vizitorë u ndaluan dhe u shoqëruan në makinat e policisë.
Festimi i Vidovdanit këtë vit kaloi pa incidente tjera të mëdha, ndërkaq zyrtarët policorë i kanë kontrolluar të gjithë ata i janë bashkuar festës.
Të pranishëm këtë vit në Gazimestan ishin edhe anëtarë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës.
Në vitet e kaluara, pjesëmarrësit kanë pasur ankesa për “përdorim të tepërt të forcës” nga policia.
Një vizitorit nuk është lejuar të hynte për shkak të një bluze me mbishkrimin “Delije sever” [Tifozët Delije nga veriu], ashtu sikurse disa tjerëve që mbanin flamuj serbë.
Delije është emri kolektiv i tifozëve të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq).
Më herët gjatë ditës, autoritetet kanë ndaluar një anëtar të partisë “Demokracia Serbe”, Stefan Vellkoviqin, pasi ai refuzoi të hiqte një bluzë me imazhin e liderit të partisë, Aleksandar Arsenijeviq.