Përfundon takimi i kryeministrit Rama me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës në kuvend

Përfundon takimi i kryeministrit Rama me kryetarët…

Sapo ka përfunduar takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarëve të 3 grupeve parlamentare të opozitës në kuvend, ndërsa ka marrë pjesë edhe deputetja Rudina Hajdari.

Takimi ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa ende nuk ka prononcim për mediat nga palët që morën pjesë.

Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku ishin të pranishëm në takim me kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme i cili ka nisur në orën 19:00, raporton Faxweb.al.

Ky takim vjen pas bisedave që kanë zhvilluar edhe me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin ndërsa është me kërkesë të tre kryetarëve të grupeve të partive opozitare në Kuvend.

Takimi është zhvilluar në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit. Kujtojmë se opozita parlamentare ka këmbëngulur për ndryshimin e sistemit ku të përfshihen listat e hapura ndërsa është lënë në hije dhe nuk është bërë pjesë e marrëveshjes në Këshillin Politik.

Nga ana tjetër, që prej arritjes së marrëveshjes, Rama ka deklaruar disa herë se nuk i ka votat në Kuvend për kalimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa i duhen edhe votat e deputetëve të opozitës, një pjesë e të cilëve kanë deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë për shkak të mos përfshirjes së listave të hapura në marrëveshjen mes aktorëve politik.

Nuk dihet nëse Rama në këtë takim do të mundohet të bindë deputetët e opozitës për të kaluar reformën në parlament, duke qenë se kjo është një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për hapjen e kapitujve të negociatave.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit