
Korrupsioni duket se është përhapur në çdo digaster të shtetit shqiptar. Të punësohesh në administratën publike duhet të paguash para, por duhet të japësh sërish para nëse do ta mbash atë pozicion pune.
Ndërsa në shumicën e rasteve, kur ka shkarkime nga puna, ose ulje në detyrë padrejtësisht, punonjësit zgjedhin që të heshtin dhe ngjarjet nuk bëhen publike. Por jo në të gjitha rastet veprohet kështu.
Përgjegjësja e Çështjeve Shoqërore, në paraburgimin e Vlorës, Fjona Cenodemaj, ka kallëzuar për korrupsion Gentian Manellarin, zv/drejtorin e institucionit në fjalë. Cenodemaj ka denoncuar në Policinë e Vlorës se Manellari i ka kërkuar 10 mijë euro që ajo të mbante pozicionin e punës që ajo kishte.
Sipas saj, në datën 10 të muajit Nëntor kanë qenë në shoqërinë e farmacistit të institucionit Dritan Fejza në një lokal në afërsi të fshatit Nartë kur zv.drejtori i paraburgimit i ka kërkuar para në këmbim të mbajtjes së pozicionit të pës.
“Më jep mua 10.000 euro që të qëndrosh aty ku je”, deklaron ajo.
Cenodemaj ka deklaruar se nuk i ka kushtuar shumë rëndësi kësaj kërkese por 3 ditë më pas i është komunikuar zbritja në detyrë ku nga drejtuese është emëruar specialiste. Sipas saj, i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe drejtori i Paraburgimit të Vlorës Edi Leka.
Gjithashtu zyrtarja ka shtuar se ndihet në presion dhe trysni ndërsa ka insistuar që të merren kamerat e lokalit, që është në afërsi të Nartës si dhe të pyetet dëshmitari i cili është farmacisti i institucionit. Po ashtu edhe ky i fundit është marrë në pyetje, por nuk dihet më shumë për këtë ngjarje.
Çështja që ngre ky denoncim nuk qëndron tek korrupsion dhe abuzimi me detyrën, por nxjerr në pah se presioni për të mbajtur një vend pune në shtet po rritet dita ditës.
Ndërsa drejtësia nuk po punon aspak në këtë drejtim, me dhjetra profesionistë të vërtetë po zgjedhin që të largohen nga vendi, për shkak të korrupsionit dhe presionit për të mbajtur një post pune.