Thethi, një nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë, po përballet me një problem që po lë shije të hidhur te vizitorët.
Një pushues ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania foto nga qendra e fshatit, ku koshat e mbeturinave shfaqen të tejmbushur, ndërsa plehrat janë përhapur në rrugë.
Sipas tij, kjo pamje është kthyer në një rutinë të përditshme gjatë sezonit veror, pikërisht në periudhën kur Thethi pret mijëra turistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.
Denoncuesi thotë se frekuenca aktuale e pastrimit nuk përballon fluksin e madh të vizitorëve, duke bërë që mbeturinat të grumbullohen pranë rrugëve dhe hapësirave publike. Pamjet, sipas tij, nuk përfaqësojnë atë që turistët presin të shohin në një nga destinacionet më të promovuara të turizmit malor.
Banorët dhe vizitorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Bashkisë Shkodër, të ndërhyjnë sa më shpejt duke shtuar frekuencën e grumbullimit të mbetjeve gjatë sezonit turistik, në mënyrë që bukuria natyrore e Thethit të mos zbehet nga një problem që mund të zgjidhet me menaxhim më të mirë.
