
Në mes të përmbytjeve masive që kanë përfshirë Brazilin, një kalë që ishte bllokuar në një çati është shpëtuar nga ekipi i kërkim-shpëtimit gjatë ditës së djeshme. Pamjet e kalit janë bërë mjaft virale, ku duket qartë i ngecur në çatinë e një shtëpie në Canoas, një qytet që ndodhet në veri të Porto Alegre.
Kali u la aty pasi pronarët e tij braktisën shtëpinë e tyre në mes të rrezikut të përmbytjeve të mëdha. Menjëherë pasi videoja u bë virale, Departamenti i Mbrojtjes Civile në Rio Grande do Sul nisi një mision për të shpëtuar kafshën.
Situata e pasigurt bëri që kryetari i Bashkisë së Canoas, Jorge da Silva të kërkonte urgjentisht ndihmë për të parandaluar rënien e kafshës në ujërat masivë. Shpëtimtarët vullnetarë, të ndihmuar nga veterinerët dhe ushtria, u mobilizuan për të shpëtuar kalin dhe për ta transportuar atë në ambient të sigurtë.
Shpëtimi vjen mes përmbytjeve masive të shkaktuara nga reshjet e dendura në Rio Grande do Sul, duke marrë 107 jetë, me 136 të raportuar ende të zhdukur në qytetet e përmbytura ku rrugët janë shndërruar në lumenj.
Për më tepër, aeroporti ndërkombëtar në kryeqytetin e shtetit Porto Alegre, është goditur rëndë, me pistat e tij të zhytura nën ujërat e përmbytjeve, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit të paktën për një muaj.