Përpjekjet e fundit të Iranit për të shpëtuar objektin bërthamor të Fordow-it pak para sulmit amerikan

Përpjekjet e fundit të Iranit për të…

Pamjet satelitore tregojnë përpjekjet e dëshpëruara të Iranit për të forcuar objektin bërthamor në Fordow-it pak para bombardimeve nga SHBA

Pak ditë para se bombarduesit strategjikë amerikanë B-2 Spirit të godisnin objektin nëntokësor bërthamor të Iranit në Fordow me bomba të rënda “bunker buster” prej 13,600 kilogramësh, Teherani u përpoq me çdo kusht të përforconte strukturën.

Pamjet satelitore të datës 19 qershor, vetëm dy ditë përpara sulmit, tregojnë grumbullime dheu përpara dy hyrjeve të objektit nëntokësor. Në afërsi të hyrjeve u panë 16 kamionë, ndërsa makineri të rënda për lëvizjen e tokës ishin aktive në terren, sipas raportimeve të CNN-it.

Një ditë më pas, pamjet e reja treguan se rrugët që çonin drejt objektit ishin mbuluar pjesërisht me dhe. Kamionët vazhdonin të transportonin tokë drejt hyrjeve të tuneleve, ndërsa pajisje të tjera ngarkonin vazhdimisht material për mbulimin e tyre.

Objekti bërthamor në Fordow ndodhet brenda një shpati mali dhe llogaritet se shtrihet në thellësi prej 80 deri në 90 metra nën tokë. Për këtë arsye, SHBA zgjodhi të përdorte bomba të specializuara për të depërtuar në këtë thellësi dhe për të shkatërruar strukturën.

Pas sulmeve ajrore, sistemet amerikane të monitorimit të zjarrit (FIRMS) të NASA-s regjistruan dy valë nxehtësie nga objekti, të cilat sugjerojnë se objektivi ishte goditur. Regjistrimi i parë u bë në orën 02:29 sipas kohës lokale, ndërsa i dyti në 02:54. Presidenti Donald Trump njoftoi për sulmin rreth 20 minuta më pas.

Megjithatë, të dhënat e FIRMS nuk provojnë domosdoshmërisht se shpërthimet nisën në ato orare. Trump e cilësoi sulmin si “një sukses spektakolar ushtarak” dhe deklaroi se “kapacitetet kryesore të Iranit për pasurimin bërthamor janë zhdukur tërësisht.”

Ndërkohë, Teherani tenton ta minimizojë ndikimin. Deputeti iranian Manan Raeisi, përfaqësues i qytetit të shenjtë Qom pranë Fordow-it, deklaroi se dëmet ishin “sipërfaqësore” dhe objekti nuk ishte dëmtuar rëndë. Ai u shpreh për agjencinë shtetërore Fars se “zonat më të goditura ndodheshin mbi tokë dhe do të rikthehen shpejt në gjendjen e mëparshme.”

Autoritetet iraniane deklaruan gjithashtu se nuk është regjistruar ndotje radioaktive në asnjë prej objekteve kryesore – në Isfahan, Fordow dhe Natanz. Qendra Kombëtare për Sigurinë Bërthamore në Iran tha se monitorët e rrezatimit nuk kanë treguar asnjë çlirim të materialeve radioaktive.

Po ashtu, rregullatori bërthamor i Arabisë Saudite bëri të ditur në rrjetin X se nuk është zbuluar asnjë shenjë rrezatimi në territorin saudit apo në vendet e tjera të Gjirit Persik.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit