Producenti Petri Bozo është liruar nga paraburgimi, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas vendimit të Apelit, masa “arrest në burg” është zëvendësuar me “arrest në shtëpi”, duke sjellë edhe lirimin e menjëhershëm të Bozos nga qelia.
Bozo ndodhej në paraburgim në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur në muajin maj në fshatin Mengël të Elbasanit, ku një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga automjeti që drejtohej prej tij.
Në momentet pas aksidentit, sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, Bozo kishte deklaruar se automjeti po lëvizte me shpejtësi të ulët. Një prej banorëve tha se producenti kishte pretenduar se po udhëtonte me rreth 10 km/orë.
Megjithatë, persona të tjerë të pranishëm në zonë kanë dhënë një tjetër version, duke pretenduar se automjeti po lëvizte me shpejtësi më të madhe në momentin e përplasjes.
Rrethanat dhe dinamika e plotë e aksidentit vijojnë të jenë objekt i hetimit nga autoritetet, ndërsa tashmë Bozo do ta vijojë procedimin nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.