Tre ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Vlorës, ku një grua e dehur dhunonte dhe përplaste përtokë foshnjën e saj të mitur, kjo e fundit është proceduar penalisht nga Policia në gjendje të lirë.
H. L., 37-vjeçe me banim në Tiranë, mbrëmjen e 14 marsit “dyshohet se ka keqtrajtuar foshnjën e saj 5 muajsh. I mituri ndodhet në kujdesin e shërbimeve të qendrës sociale në Vlorë, ndërkohë që punohet për trajtimin e mëtejshëm të rastit”, thotë policia.
Ngjarja që ndodhi në lagjen “Pavarësia” frikësoi banorët e zonës, të cilët njoftuan efektivët e policisë. Kur këta të fundit mbërritën në vendin e ngjarjes, hasën në kundërshtimin e 37-vjeçares për të dorëzuar djalin e lënduar.
Pavarësisht se nëna u shoqërua nga policia që natën e ngjarjes, pasi është marrë në pyetje, është lënë përsëri e lirë dhe tashmë materialet i janë referuar Prokurorisë për të vazhduar hetimin. 37-vjeçarja rezulton të jetë e divorcuar, teksa shqetësuese është mundësia e ripërsëritjes së veprimeve të saj ndaj vogëlushit.