
Vijon teatri i deputetëve për hallet e tyre. Pas show-t që dhurojnë pothuajse çdo ditë në televizione, sot e kanë kaluar stekën tek përplasjet brenda llojit.
Deputeti Dashnor Sula ka debatuar me kolegun demokrat, Kreshnik Çollaku, i cili radhitet mes mbështetësve të Lulzim Bashës.
Mes tyre nuk kanë munguar as fyerjet dhe përplasjet fizikr, ndërsa ka ndërhyrë Garda për t’i ndarë.
Akuzat mes dy deputetëve të zgjedhur nga demokratët kanë qenë ndaj njëri-tjetrit se marrin tendera nga kryeministri Edi Rama.
Këto akuza dhe përplasje mes deputetëve demokratë nga dy kampet kanë qenë të artikuluara herë pas here. E gjithë përplasja, nuk ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga qeveria, por ëndrra që ata kanë për karrige. Ëndërr kjo, që po u lezeton shumë e po pasurohen në kurriz të njerëzve të varfër, për të cilët u bie mendja vetëm kur kërkojnë votat.
Pjesë nga biseda:
Dash Sula: O udhëheqës i madh!
Çollaku: Mos më bëj si trim mua se e di unë çfarë je
Çollaku: Langaraq. Servil, legen
Dash Sula: Ti je mashtrues, kështu ke qenë gjithë jetën tënde
Çollaku: Je servil, bën si opozitar. Mashtrues. I pafytyrë. Shko hap mesazhet që i dërgon Edi Raës. Bën si opozitar dhe i dërgon mesazhe Ramës. Hapi letrat t’i shohim, ku i ke tenderat
Akuzat e demokratëve mes tyre, duket se faktojnë atë që shumë veta e dyshojnë, një pazar të mundshëm mes opozitës dhe mazhorancës, në mënyrë që Rama të vijojë të rrijë në pushtet rehat dhe i pa bezdisur nga asnjë deputet që ulet në vendet e opozitës në Parlament.
Akuzat se kanë përfituar tendera nga qeveria janë për bashkëshortin e deputetes Ina Zhupa. Po ashtu, Lulzim Basha, që ka vulën dhe logon e PD akuzohet se ka përfituar nga pushteti i Ramës vila e kate kullash. Agron Kapllanaj, ish kryetari i PD-së së Mallakastrës është akuzuar publikisht nga mbështetës të Sali Berishës, duke nxjerrë edhe dokumente, se ka përfituar miliona euro tendera nga Rama.
E gjithë përplasja mes deputetëve, përveçse një shfaqje e shëmtuar, është edhe një betejë mes tyre për të pasur sa më shumë përfitime nga pushteti. E në fund të gjithë pushtetarët ngelen të kënaqur: Rama në pushtet, e opozitarët më të pasur se çdo ishin në qeveri.