Një qytetar ka ngritur shqetësimin për gjendjen e një prej përrenjve që derdhen në zonën e Plazhit të Ri në Vlorë, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të verifikojnë nëse ujërat janë të ndotura.
Sipas denoncimit të tij, përroi kundërmon erë të rëndë dhe ka dyshime se, përveç ujërave të tij, në të mund të derdhen edhe ujëra të zeza nga zona përreth.
“Desha t’ju bëj me dije për një nga përrenjtë që derdhen te Plazhi i Ri në Vlorë, sepse bie erë të keqe. Nuk e di si ta vë Bashkinë e Vlorës në dijeni që të bëhen analizat e ujit dhe të merret vesh nëse ka ndotje nga ujërat e zeza, prandaj po ju informoj juve”, shkruan qytetari.
Ai thekson se nuk dëshiron të dëmtojë turizmin në qytet, por kërkon që situata të verifikohet sa më parë, pasi në këtë zonë lahen çdo ditë pushues dhe çdo ndotje e mundshme mund të përbëjë rrezik për shëndetin.
Sipas tij, një përrua tjetër që ndodhet vetëm pak metra më tej ka ujë të pastër, ndërsa ky përrua ka erë të fortë të pakëndshme, çka ka shtuar shqetësimet e banorëve.
Qytetari u bën thirrje Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve përgjegjëse të kryejnë analizat e nevojshme të ujit dhe të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me ndotje nga ujërat e zeza apo me një fenomen tjetër.