
Monopatinat elektrike janë shndërruar në një ndër burimet kryesore të aksidenteve në rrugët shqiptare, por pavarësisht numrave alarmantë, institucionet vijojnë të qëndrojnë duarkryq.
Vetëm gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të Spitalit Universitar të Traumës, janë regjistruar 694 raste aksidentesh nga monopatinat. Në vetëm 5 muajt e parë të vitit 2025, janë 212 persona të lënduar, shumica të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, por në listën e të aksidentuarve përfshihen edhe fëmijë e të moshuar.
Dëmtimet janë të rënda dhe shpesh të përhershme: fraktura në kokë, shtyllë kurrizore, gjymtyrë të thyera apo edhe dëmtime të organeve të brendshme. Ajo që dikur dukej si mjet ekologjik dhe modern, sot po shndërrohet në një mjet të rrezikshëm, që lë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë ligj specifik që të rregullojë përdorimin e monopatinave elektrike. Nuk ka një kufi moshe, as rregulla për shpejtësinë, as zonat ku lejohen të qarkullojnë. Për më tepër, përdoruesit as nuk detyrohen të mbajnë helmeta apo masa të tjera mbrojtëse.
Në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, çdo ditë shihen të rinj, shpesh me dy veta mbi një monopatinë, që lëvizin me shpejtësi, pa drita, pa sinjalistikë dhe pa asnjë kontroll. Frenimi i beftë, mungesa e ndriçimit, rruget e dëmtuara apo trotuaret e ngushta vetëm sa shtojnë rrezikun.
Policia Rrugore raporton se ka sekuestruar e gjobitur monopatina, por në mungesë të një baze ligjore të qartë, veprimet janë më shumë simbolike sesa zgjidhje reale.
Ndërkohë që vendet e tjera të BE-së kanë vendosur rregulla strikte për përdorimin e tyre, përfshirë kufijtë e shpejtësisë, zonat e ndaluara dhe standardet e sigurisë, Shqipëria mbetet prapa, duke lejuar që kaosi të zëvendësojë sigurinë.
Shtrohet pyetja: Sa të rinj të plagosur, sa aksidente të rënda dhe sa viktima duhen që institucionet të veprojnë? A do të pritet një tragjedi masive për të marrë masa?
Ndërsa monopatinat vazhdojnë të mbushin rrugët, është koha që qeveria të zgjohet nga letargjia dhe të vendosë një kuadër ligjor që mbron qytetarët, jo vetëm modën teknologjike.
Siguria në rrugë nuk është çështje preferencash urbane, është çështje jete.