Përse qeveria e mbledh “Taksën e Qarkullimit” kur rrugët janë copë-copë?

Përse qeveria e mbledh “Taksën e Qarkullimit”…

Çmimi i karburanteve vijon të mbetet një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve dhe bizneseve gjatë viteve të fundit, ku rritjet e pandemisë COVID-19 mbetën konstante ose me një ulje minimale në tregun e hidrokarbureve edhe sot e kësaj dite.

Për çdo litër karburant, qeveria Shqiptare vjen një sërë taksash që i sigurojnë buxhetit të shtetit të ardhura të frytshme! Sot do të analizojmë vetëm njërën prej tyre, taksën e “qarkullimit”.

Kur shkoni në pikat e furnizimit për të blerë benzinë, naftë ose gaz, për çdo litër që paguani, 27 lekë të reja janë taksë që e merr qeveria për ‘qarkullimin’.

Sipas përllogaritjeve, gjatë vitit që lamë pas (2024), vetëm nga kjo taksë buxheti i shtetit ka arritur të vjelë 21.3 miliardë lekë, ose 9% më shumë se në vitin 2023. Kjo rritje e të ardhurave lidhet dhe me shtimin e konsumit të karburanteve.

Por ku qëndron problemi?

Fondet e gjeneruara nga taksa e qarkullimit, apo edhe taksa të tjera mbi karburantet, mblidhen me qëllim që të akordohen për projekte infrastrukturore, që investimet të përmirësojë cilësinë e rrugëve.

Por në vendin tonë duket se ndodh e kundërta! Pavarësisht se miliarda para mblidhen nga taksat, rrugët lënë shumë për të dëshiruar sa i takon cilësisë, pasi janë të mbushura me gropa.

Psh mund të sjellim rastin e autostradës Tiranë-Durrës! Kjo është një ndër nyjet më të rëndësishme rrugore që lidh dy ndër qytetet kryesore të Shqipërisë, por cilësia e asfaltit lë shumë për të dëshiruar.

Qarkullimi shpesh has në probleme që lidhen me trafikun e rënduar, por edhe sasia e gropave në karrexhatë e bën thuajse të pamundur manovrimin me shpejtësi. Sitata duket akoma më shqetësuese kur përpara është vera, dhe trafiku në këtë aks shtohet ndjeshëm.

Nga ana tjetër, qeverisë duket se nuk i mjaftojnë fondet e mbledhura nga vjelja e taksave të karburantit për të rregulluar rrugët e vendit, por zgjedh të punojë me PPP, duke i detyruar qytetarët që të paguajnë përsëri gjatë përdorimimit të rrugëve të reja që ndërtohen.

Gjatë këtij viti, numri i rrugëve që pritet të jenë me pagesë do të jetë të paktën tre, mes tyre Rruga e Kombit, Thumanë-Kashar dhe Tuneli i Llogarasë. Gjasat janë që në vitet në vijim numri i rrugëve me pagesë të rritet.

Atëherë përse qeveria duhet t’u mbledhë shoferëve taksën e qarkullimit për çdo litër karburant, kur këta të fundit, duhet të paguajnë përsëri për çdo përdorim rruge?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit