
Përplasja mes dy fuqive bërthamore, Indisë dhe Pakistanit, po përshkallëzohet ndjeshëm. Mbrëmjen e së premtes, shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Kashmirin indian dhe në qytetin e shenjtë Sikh të Amritsarit. Ushtria indiane deklaroi se ka rrëzuar dronë, në atë që po konsiderohet si përballja më e ashpër mes palëve në afro 30 vite.
Qyteti i Jammu-s u zhyt në errësirë për natën e dytë radhazi, ndërsa u raportuan 10 shpërthime pranë aeroportit të Srinagarit dhe në mbi 12 zona të tjera në rajonin e kontestuar. Ushtria indiane pretendon se Pakistan përdori dronë turq për të goditur 36 objektiva në perëndim dhe veriperëndim të Indisë. Si kundërpërgjigje, India lëshoi dronë mbi objektiva në Pakistan, duke shkatërruar një sistem mbrojtës ajror.
Qeveria e Pakistanit mohon çdo akuzë dhe i cilëson pretendimet e Indisë si “të pavërteta dhe të manipuluara”. Nga ana tjetër, autoritetet në Kashmirin pakistanez raportojnë se 5 civilë, përfshirë një foshnjë, janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur nga predha që vinin nga India.
Situata është përshkallëzuar pas një sulmi të përgjakshëm ndaj turistëve hindu në Kashmirin indian muajin e kaluar. Të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr artilerie, raketa dhe dronë në hapësirat ajrore përkatëse. Deri më tani, numri i viktimave nga të dyja anët raportohet të ketë arritur në 48, megjithëse shifrat nuk janë të verifikuara në mënyrë të pavarur.
Banorët janë evakuuar nga zonat kufitare, turistët po largohen në panik, shkollat janë mbyllur dhe turneu prestigjioz i kriketit IPL në Indi është pezulluar. Gjithashtu, autoritetet portuale indiane janë urdhëruar të shtojnë masat e sigurisë për shkak të rrezikut në rritje.
Ndërkohë, bursat indiane kanë humbur mbi 83 miliardë dollarë në dy ditë, ndërsa tregjet në Pakistan kanë shënuar rritje për shkak të një pauze të përkohshme të dhunës në territorin e tyre.