Pesë ditë ferri në kufi, qeveria buzë detit

Pesë ditë ferri në kufi, qeveria buzë…

Prej pesë ditësh emigrantët shqiptarë që ktheheshin në shtëpitë e tyre kanë përjetuar temperaturat e larta dhe kanë fjetur në makina së bashku me fëmijët. Vetëm pasditen e djeshme është rënë dakord që rezidentëve nga Shqipëria t’iu jepet dhe një ditë kohë për t’u kthyer në vendin fqinj. Qeveria shqiptare është gjendur e papërgatitur për situatën, ndërsa vetë kryeministri përgjatë këtyre ditëve e ka ndjekur situatën nga bregdeti i jugut. Greqia shtrëngon masat. Nga sot, askush nuk lejohet të kalojë pa kryer testin COVID

Pamjet e një fëmije që shtrëngon pasaportën shqiptare, në pritje për ta kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Përtej traut të doganës së Kakavijës në shtetin fqinj Greqi ka shtëpinë, shkollën, familjen. Si ai janë dhe shumë e shumë të tjerë që presin në vargun e pafund mes temperaturave të larta të këtij mes gushti. Dikush që nuk e di përse bëhet fjalë do i ngatërronte me pamjet apokaliptike të të ikurve të luftës. Në të vërtetë janë njerëz që po kthehen në shtëpitë e tyre, pasi kanë mbaruar pushimet në Shqipëri. Kriza e emigrantëve që kthehen pritet të thellohet akoma më shumë në ditët në vazhdim, po të mendosh se deri më tani nuk janë kthyer akoma gjysma e tyre.

Apokalips në Kakavijë

Radha ditën e djeshme në doganën e Kakavijës, ishte rreth katër kilometra. Ora 06 e mëngjesit të 16 gushtit ishte afati i fundit, për t’i shpëtuar karantinës dhe kryerjes së tamponit, që tregon se nuk je i infektuar. Pala greke kish deklaruar se ditën e djeshme nuk do mund të kalonin më shumë se 700 persona, dhe kjo bëri që dyndja drejt Kakavijës dhe Kapshticës të ishte e madhe. Njerëzit të revoltuar dhe me fëmijë në krahë mundoheshin të çanin kordonin e policisë shqiptare. Pamjet apokaliptike që ofrohen nga media s’kanë nevojë për koment. Distanca sociale, pandemia, janë një nocion i largët në kufirin shqiptaro grek. Pamje apokaliptike që të kujtojnë ikjet e njerëzve në luftë. Dukej sikur ata njerëz s’i përkisnin më këtij vendi. Një negociatë e minutës së fundit bëri që kalimi i personave të shtyhej deri në orën 22 të mbrëmjes, por karvani i mjeteve në Kakavijë ishte tepër i madh ndërkohë që ritmet e punës nga ana e palës greke vazhdojnë të jenë me ritme të ngadalta. Prej orës 22:00 të ditës së djeshme, kushdo që duhet të kalojë në Greqi, i rritur apo fëmijë qoftë duhet të ketë kryer tamponin që tregon nëse je i prekur nga COVID apo jo, me një kosto prej 12 mijë lekësh të rinj. Dhe të futet një javë në karantinë atje.

Pushimet e ferrit

CNN grek njoftonte se rastet në vendin fqinj dje ishin diku te 217, dhe vetëm 15 prej tyre kishin rezultuar të ishin të importuara nga kufijtë. Ditën e djeshme deri në orët e vona të pasdites kanë kaluar rreth 2781 qytetarë dhe 1167 automjete nga Shqipëria, por shumë të tjerë janë kthyer mbrapsht me mendimin se s’do mund të kalojnë dot, ose janë ndaluar nga policia shqiptare të shkojnë. Me gjithë masat e shtuara, nga ana e palës greke, prej katër ditësh asnjë prej atyre që personave që po ktheheshin nuk ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Në fakt situata në të gjitha portat hyrëse të Greqisë, është në alarm, por Shqipëria është një rast i veçantë. Në shtetin fqinj mendohet të kenë emigruar rreth 600 mijë persona, të cilët ndër vite kanë ngritur familje, kanë blerë shtëpi, kanë ngritur biznese e kanë ndërtuar familje. Një ritual i përvitshëm i sjell ata në vendin e tyre për të kaluar pushimet pranë të afërmve, pa e ditur se kthimi do iu kthehej në një stërmundim që të kujton rrathët e ferrit. E njëjta gjë ndodhi dhe këtë vit, por askush nuk e dinte se kjo ardhje drejt Shqipërisë u rrezikon tashmë vendin e punës apo shkollën e fëmijëve.

Qeveria

Por duket se qeveria shqiptare është kapur e papërgatitur për këtë situatë. Thuajse të gjithë ministrat kanë marrë lejet dhe kanë shkuar të pushojnë buzë detit, mes tyre dhe vetë kryeministri Rama. E vetmja masë që mori Ministria e Brendshme dje ishte përforcimi i patrullave policore që pengonin emigrantët të udhëtonin drejt Kakavijës dhe Kapshticës, si dhe publikoi një njoftim për shtyp në lidhje me atë se çfarë duhet të kenë personat që do i duhet të kalojnë në Greqi pas ditës së sotme. Mes tyre ishte dhe testi i COVID-19, që duhet të kryhet nga ISHP, ose nga çdo klinikë tjetër e certifikuar nga shteti, siç mund të jenë klinikat private që kanë filluar tashmë testimin për virusin pandemik. Nga ana tjetër, lejohen të hyjnë në shtetin grek vetëm personat rezidentë. “Policia Kufitare apelon qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos ndërmarrin udhëtime pa pasur me vete dokumentacionin e mësipërm, pasi Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Kakavijës, si dhe në drejtim të Kapshticës. Nuk do të lejohet asnjë qytetar që ka qëllim destinacionin final Greqinë të udhëtojë në drejtim të këtyre pikave pa pasur dokumentacionin e nevojshëm”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Kushtet

Për të udhëtuar drejt Greqisë, rezidentëve atje u duhet të ndërmarrin kosto shtesë. Vlera e një testimi me tampon është rreth 12 mijë lekë të rinj, dhe një familjeje prej katër vetash u duhet rreth 300 euro kosto analizash, më shumë se dhe vetë bileta e autobusit që të çon drejt Greqisë. Kësaj do i shtohet dhe karantina njëjavore atje. Ndërkohë që shteti fqinj Italia, lajmëroi dje se rezidentëve nga Shqipëria, do iu kryejë falas tamponët, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka ende asnjë njoftim se ç’do bëhet me shtetasit shqiptarë. Kryeministri u mjaftua me një njoftim në Facebook ku njoftonte se për këtë situatë s’është faji i Greqisë, por pa vënë gishtin se i kujt është faji që prej pesë ditësh njerëzit ndodhen nën zhegun përvëlues të gushtit. Ndërkohë që në situata të tilla çdo shtet tjetër ka bërë gjithçka për të siguruar qytetarët e tij jashtë kufijve, vetë qeveria shqiptare, nuk ofron as tamponët falas për qytetarët e saj, që ndodhen brenda territorit të vendit të tyre. “Marrëveshja me palën greke ka qenë përtokë. Për të gjithë ne si refugjatë ka qenë e papritur dhe një mosmbështetje nga qeveria jonë”, u shpreh një qytetar për mediat.

PD: Tamponë falas për ata që shkojnë drejt Greqisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me situatën kaotike të krijuar në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës. Për të stabilizuar disi atë gjendje në kufirin me Greqinë, Qeveria jonë duhet të organizojë me urgjencë e në marrëveshje me palën greke “Testimin e vazhduar PCR, 24-orësh direkt në të katër pikat kufitare, duke aktivizuar të gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike, apo dhe të tjera të kontraktuara nga jashtë, siç bëhet kudo në botë. Gjithashtu është i domosdoshëm edhe realizimi në nivel vendi minimalisht të 2500 testeve të tjera PCR ditore gratis, përveç disa mijëra serologjike”, shkruan Shehu.

Meta: Qytetarët mos trajtohen si njerëz pa atdhe

Presidenti Ilir Meta i ka bërë një thirrje të fortë qeverisë, për të marrë të gjitha masat për të ndihmuar qytetarët shqiptarë që po vuajnë në pikat e kalimit kufitar sepse ata nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet, por meritojnë të trajtohen me dinjitet. Presidenti Meta ka kërkuar realizimin falas dhe në vendin ku ata ndodhen, të testeve për COVID-19 që janë vënë kusht për të hyrë në Greqi.

Në mesazhin e tij Meta shprehet: “Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet. Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin falas dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19. Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme. Aktet e forcës janë të papranueshme! U kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet” përfundon Presidenti. “Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë meriton të trajtohet me dinjitet.”/Mapo.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit